Burime brenda UKT kanë denoncuar ekskluzivisht për JOQ llumin që po gatuan drejtori i ri Skerdi Drenova, pjesë e skuadrës së Ballukut, i katapultuar për të zëvendësuar klanin e vjetër të në institucionet kryesore.
Prej më shumë se dy muajsh, burimi konfirmon për JOQ, se Ujësjellës-Kanalizime Tiranë (UKT) po përjeton një valë tronditëse të abuzimeve administrative, shkeljeve ligjore dhe aferave të dyshimta korruptive nën drejtimin Drenovës ish-drejtorit të OST, tashmë i emëruar në krye të një prej institucioneve më të rëndësishme publike të kryeqytetit.
Drenova mori drejtimin e UKT pak para zgjedhjeve të 11 majit, në një kohë kur çdo emërim i ri në administratë ishte ligjërisht i ndaluar. Pavarësisht këtij kufizimi, ai ka vijuar të firmosë kontrata dhe të emërojë persona të rinj, ndërkohë që menjëherë pas zgjedhjeve ka nisur një spastrim të thellë në radhët e stafit.
Sipas po të njëjtave burime të brendshme të institucionit, rreth 100 punonjës janë larguar nga puna brenda një periudhe dy mujore, ndërsa ndaj shumë të tjerëve janë marrë masa disiplinore për largimin e tyre.
Sipas dëshmive të të njëjtit burim, punonjësit po përballen çdo ditë me kërcënime dhe presion psikologjik për të lënë vendet e tyre të punës, ndërkohë që vendet e liruara po mbushen nga individë të lidhur me strukturat patronazhistë të pushtetit.
Terror administrativ dhe trajtim përçmues i stafit
Punonjësit e UKT raportojnë për një atmosferë frike, ku drejtori sillet me arrogancë, refuzon t’i presë në takim dhe shpërndan orët shtesë vetëm për punonjësit që shfaqin servilizëm ndaj tij. Ata që kanë guxuar të shprehin ankesa janë përballur me largime të menjëhershme. Një pjesë e stafit administrativ punon pa asnjë pagesë jashtë orarit, ndërkohë që individë të emëruar si “këshilltarë” e “koordinatorë” nuk paraqiten fare në punë, por paguhen rregullisht.
Tenderë të dyshimtë dhe lidhje me individë nga bota e krimit
Burime të shumta brenda institucionit denoncojnë se Drenova ka zhvilluar takime të shpeshta në zyrën e tij me persona të njohur si eksponentë të krimit të organizuar, të cilët përfshihen në pazare tenderash.
Një nga procedurat më flagrante është ajo për sigurimin e automjeteve të UKT, e fituar nga kompania “Atlantik” e biznesmenit Dritan Çela, për një vlerë prej 440 milionë lekësh. Kjo procedurë është shënuar me “flamur të kuq”, një indikator që tregon rrezik të lartë për korrupsion.