Një nga qytetet me peshën më të madhe turistike në vend, Durrësi, po përballet edhe këtë sezon veror me një sërë problematikash serioze që dëmtojnë përvojën e mijëra vizitorëve dhe jetën e banorëve.
Mbeturina të pambledhura që kundërmojnë në çdo cep të qytetit dhe në plazh, mungesë ujë të pijshëm, parkim i rrëmujshëm dhe bllokim qarkullimi, janë vetëm disa nga shqetësimet kryesore që raportohen çdo ditë nga qytetarët.
Përkundër kësaj gjendjeje kaotike, kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, duket se ka zgjedhur të shfaqë një realitet tjetër në rrjetet sociale. Pak ditë më parë, ajo ka publikuar disa foto që, sipas saj, tregonin rikonstruksionin e fasadave dhe pallateve në lagjen nr. 1, në zonën e shëtitores “Taulantia”.
Por postimi ka ngjallur reagime të shumta tallëse nga qytetarët, të cilët pretendojnë se në terren nuk ka ndodhur asnjë ndryshim. Ata akuzojnë Sakon se ka modifikuar thjesht ngjyrat e fotove për t’i paraqitur si investime, ndërkohë që realiteti është krejtësisht ndryshe.
"Gjeni ndryshimin: Ndryshimi i vetëm është se ka dalë dielli", "Vetëm filtrat kanë ndryshuar", dhe "Foto me diell dhe foto pa diell", janë vetëm prej disa komenteve që nxjerrin bllof "punën" e kryetares e cila njihet për tenderat abuzivë dhe favorizimet e familjarëve dhe miqve të saj.
