Një qytetare shqiptare ka treguar një gjest bujarie, duke vendosur të ndihmojë të tjerët pas humbjes së një të afërmi.
Ajo ka në dispozicion 20 copë insulinë, dy lloje të ndryshme, të cilat janë të pahapura dhe me datë skadence deri në vitin 2026. Pas ndarjes nga jeta të personit që i përdorte, ajo ka vendosur t’i dhurojë këto medikamente për dikë që mund të ketë nevojë, duke shprehur edhe gatishmërinë për të dërguar foto për verifikim.
“Përshëndetje JOQ! Kam 20 copë insulinë, janë dy lloje dhe personi që i përdorte ka ndërruar jetë, të cilat do të dëshiroja t’i dhuroja. Janë të pahapura dhe mendova ndoshta i duhen dikujt që ka vërtet nevojë për to. Data e skadencës është 2026,” shkruan ajo për JOQ Albania.
Nëse ndonjë person me nevoja shëndetësore ka vështirësi për të siguruar insulinë, mund të na kontaktojë për t’u lidhur me dhuruesen.
Ky akt i thjeshtë, por i madh në shpirt, tregon rëndësinë e solidaritetit në komunitet dhe mund të jetë një ndihmë jetike për dikë që vuan nga diabeti.