Kryeministri britanik Keir Starmer ka paralajmëruar se Britania e Madhe do të njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës në muajin shtator, nëse Izraeli nuk merr hapa të qarta për t’i dhënë fund gjendjes së tmerrshme në Gaza dhe për të çuar përpara një zgjidhje paqësore me dy shtete.
Vendimi i mundshëm vjen pas një mbledhjeje të kabinetit britanik dhe paraprin një fjalim të Ministrit të Jashtëm David Lammy në OKB në New York. Sipas Starmer, njohja do të ndodhë para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nëse qeveria izraelite nuk ndërmerr hapa “të prekshëm” drejt paqes.
Britania kërkon që Izraeli të ndërpresë menjëherë luftimet dhe të pranojë një armëpushim të plotë, të lejojë punonjësit e OKB-së të shpërndajnë ndihma humanitare në Gaza, të angazhohet publikisht për një paqe afatgjatë që çon drejt zgjidhjes me dy shtete dhe të japë garanci se nuk do të ketë aneksime të reja në Bregun Perëndimor.
“Mesazhi ynë për terroristët e Hamasit është i qartë dhe i pandryshuar: lironi menjëherë pengjet, pranoni armëpushimin, dorëzoni armët dhe kuptoni se nuk do të keni asnjë rol në qeverisjen e Gazës”, deklaroi Starmer.
Ai shtoi se vlerësimi i situatës do të bëhet në shtator dhe se “askush nuk do të ketë të drejtën e vetos ndaj këtij vendimi”.
Ky qëndrim i ri vjen ndërsa Starmer përballet me presion të madh nga figura të larta të Partisë Laburiste për të njohur shtetin palestinez. Ndër to janë kryebashkiaku i Londrës Sadiq Khan, zëvendëskryeministrja Angela Rayner, ministrja e Brendshme Yvette Cooper dhe ministri i Shëndetësisë Wes Streeting.
Mbi një e treta e deputetëve të Dhomës së Komunëve kanë firmosur gjithashtu një letër drejtuar Kryeministrit, duke kërkuar njohjen e Palestinës si shtet.