SPAK ka goditur një prej skemave më të mëdha të kontrabandës së cigareve në Shqipëri, duke sekuestruar 21 pasuri me vlerë totale mbi 9.3 milionë euro. Në qendër të hetimit ndodhet biznesmeni Ergys Agasi, pronar i “EA Tobacco”, që kontrollon edhe kompaninë “Albania Tabak – Fabrika e Re e Cigareve”.
Fabrika e cila operonte prej vitesh në Librazhd, dyshohet se ka shërbyer si burim kryesor për furnizimin e tregut të zi të cigareve në Ballkan dhe në Europë. Pas hetimeve disa mujore, SPAK ka vendosur të vendosë në sekuestro një sërë pasurish luksoze që lidhen drejtpërdrejt me aktivitetin e dyshuar kriminal.
Pasuritë përfshijnë:
9 prona të paluajtshme në emër të fabrikës së cigareve në Librazhd, me sipërfaqe të konsiderueshme.
7 apartamente luksoze në katet e larta të një kompleksi rezidencial në Tiranë, disa me sipërfaqe mbi 190 m².
3 vende parkimi me depo, të gjitha në zonë të privilegjuar.
2 vila me truall në kompleksin “Rolling Hills” në Mullet, njëra prej të cilave me sipërfaqe mbi 930 m².
Sipas SPAK, të gjitha këto pasuri dyshohet se janë përfituar nga fitimet e kontrabandës së cigareve, që ka operuar në mënyrë të strukturuar për më shumë se një dekadë. Ergys Agasi është thirrur disa herë nga prokurorët e posaçëm për të dëshmuar dhe ndaj tij janë zhvilluar kontrolle në banesa dhe në bizneset që zotëron.
Hetimet janë ende në vijim dhe burime nga drejtësia nuk përjashtojnë mundësinë e arrestimeve dhe zbulimit të lidhjeve më të thella mes biznesit të kontrabandës dhe institucioneve publike.