Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST), institucioni publik që merret me shtyllat e energjisë elektrike, ka vendosur të shkruajë historinë – por jo për ndonjë arritje teknologjike. Me firmën e drejtorit të ri Elisian Bici, OST ka thyer çdo rekord absurd të mëparshëm në prokurime, duke marrë me qira një makinë për plot 49.166 euro.

Kjo shifër tejkalon edhe "eksperimentin luksoz" të Policisë së Shtetit, që në tenderët e saj kishte marrë makina me qira për 33 deri në 34 mijë euro copën. Por OST e çon lojën në një tjetër nivel. Dhe për të mos pasur surpriza në garë, ka bërë kujdes të listojë në dokumentacion dimensione me përpikmëri kirurgjikale – që nga gjatësia e mjetit, te distanca nga toka dhe pesha që duhet të mbajë, e deri te kapaciteti i motorrit.

Rezultati? Gara u ngushtua natyrshëm dhe tenderin e fitoi kompania “Classic”, në pronësi të dy emrave tashmë të njohur në botën e koncesioneve: Agron Papuli (66.67%) dhe Artan Qesko (33.33%).
Oferta fituese për gjithë paketën ishte rreth 295 mijë euro për 6 makina. E thjeshtuar, kjo do të thotë që një makinë do t’i kushtojë OST-së sa një shtëpi e vogël në periferi të Tiranës, ndërkohë që mund të ishte thjesht blerë dhe jo marrë me qira për 5 vite.

Në garë ishte edhe kompania “Tirana Auto”, por e humbi me diferencë “të vogël”, ndonëse çdo kriter i përmasave duket i menduar që paraprakisht të kufizojë ofertuesit e padëshiruar. Rrjedhimisht, gjithçka duket si një tjetër skemë “leasing-u të artë”, ku makina i jepet shtetit për disa vite dhe më pas rikthehet te pronari origjinal – e përdorur, por e paguar në flori.

Pyetja që ngrihet është e thjeshtë: A është ky tender realisht nevojë, apo një tjetër manovër për të justifikuar shpenzime marramendëse dhe për të favorizuar të njëjtët njerëz? Dokumentet e zbardhura flasin vetë. Dhe shqiptarët sërish paguajnë, në heshtje.