Gjykata Kushtetuese ka “korrigjuar” SPAK mbi vendimin e sekuestrimit të celularit të shoqes së Klod Allajbeut, Onejda Ymerajt. Sipas GJK, SPAK ka cënuar të drejtat themelore të individit duke i thyer privatësinë me marrjen e celularit Ymerajt.
Ymeraj, e njohur si krahu i djathtë i biznesmenit Klodian Allajbeu ka ankimuar në GJK vendimin e SPAK për sekuestron e celularit të saj. Në një vendim të shpallur së fundmi, Gjykata e ka pranuar pjesërisht kërkesën e Ymerajt, duke konstatuar se sekuestrimi pa dallim i të gjithë përmbajtjes së celularit të saj ka cenuar lirinë dhe fshehtësinë e korrespondencës, si dhe të drejtën për mbrojtjen e të dhënave personale, të garantuara nga Kushtetuta.
Celulari i Ymerajt u sekuestrua nga SPAK në kuadër të hetimeve për dosjen e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, ku ajo u mor në pyetje si person që ka dijeni për hetimin.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Prokuroria e Posaçme nuk mund të mbajë nën sekuestro të gjithë pajisjen dhe të dhënat e saj pa afat dhe pa kriter.
Gjykata ka urdhëruar se SPAK ngarkohet me ekzekutimin e këtij vendimi brenda 3 muajve nga hyrja e tij në fuqi, duke i kthyer kërkueses çdo të dhënë që nuk ka lidhje me çështjen penale.