Përhapet nga mushkonjat, shkon në 7 numri i viktimave nga virusi i Nilit Perëndimor në Itali

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 29.07.2025, 17:52

Situata nga virusi i Nilit Perëndimor po përkeqësohet në Itali, me 7 viktima të konfirmuara që nga fillimi i vitit 2025. Rastet më të fundit janë regjistruar në Lazio dhe Campania, ku alarmi është rritur ndjeshëm.

Tre viktima më të fundit janë një 86-vjeçar në Latina, një 68-vjeçar në Caserta dhe një 74-vjeçar në Napoli. Të gjithë ishin të infektuar me virusin dhe vuanin edhe nga sëmundje të tjera. Një tjetër viktimë, një 80-vjeçar, ndërroi jetë në Maddaloni (Caserta), ndërsa ishte i shtruar në spital dhe kishte probleme serioze shëndetësore.

Në Oristano, një burrë 72-vjeç është konfirmuar me virusin dhe ndodhet në gjendje kritike në spital. Autoritetet kanë nisur menjëherë masat parandaluese dhe dezinfektimin e zonës ku ai jetonte.

Në rajonin e Lazios, numri i rasteve të konfirmuara është rritur në 44, ku 41 janë në provincën e Latinës. 16 raste të reja u regjistruan vetëm sot, 4 prej të cilëve me simptoma neurologjike dhe 12 me temperaturë të lartë. Dy pacientë ndodhen aktualisht në terapi intensive.

Për shkak të përhapjes së virusit, janë vendosur kufizime për dhurimin e gjakut në 31 provinca të Italisë, përfshirë Romën, Napolin, Torinon dhe Venecian.

Një tjetër rast që ka marrë vëmendje është ai i një 31-vjeçari të shtruar në Spitalin Spallanzani në Romë, i cili vuante nga ndërlikime neurologjike. Gjendja e tij thuhet se është drejt një përmirësimi të lehtë.

Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet te njerëzit nëpërmjet pickimeve të mushkonjave të infektuara. Shumica e rasteve janë pa simptoma, por për personat e moshuar apo me sëmundje të tjera, mund të shkaktojë ndërlikime të rënda shëndetësore, deri në vdekje.

Autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin sa më shumë kontaktin me mushkonjat duke përdorur mjete mbrojtëse si spraj kundër insekteve dhe rrjeta mbrojtëse në dritare. Ndërkohë, po vijojnë dezinfektimet në zonat më të prekura.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit