Të tjera detaje tronditëse janë zbardhur nga ngjarja e rëndë që ndodhi një ditë më parë në Pogradec, ku një 31-vjeçar vrau partneren e tij 52-vjeçare dhe më pas i vuri flakën banesës ku ajo jetonte.
Mësohet se Ilirjan Selmani ka goditur gruan mbi 50 herë partneren e tij Kozeta Teçon duke i shkaktuar plagë fatale. Pas ngjarjes, ai ka tentuar të fshijë gjurmët e krimit, duke pastruar gjakun në apartament dhe më pas i ka vënë zjarrin banesës ku ndodhej trupi i viktimës.
Pamjet e kamerave të sigurisë në afërsi të banesës rezultuan vendimtare për zbardhjen e krimit. Fillimisht, 31-vjeçari mohoi përfshirjen, duke pretenduar se kishte qenë në Korçë në momentin e ngjarjes dhe se e kishte mësuar lajmin përmes të tretëve.
Gjatë marrjes në pyetje, ai ka deklaruar se kishte një lidhje trevjeçare me viktimën, dhe se mosha e saj nuk i kishte penguar asnjëherë marrëdhënien:
“E doja, nuk më bënte përshtypje mosha. Vij nga një familje e mirë dhe nuk mund të bëhem vrasës,” ka thënë Selmani në rrëfimin e tij, duke shtuar se marrëdhënia mes tyre ishte e trazuar nga xhelozia, alkooli dhe dhuna.
Më tej ai ka deklaruar se bashkëjetuesja e tij dehej shpesh dhe e dhunonte, por ai e duronte “sepse e donte” dhe alkooli ishte ai që i lidhte edhe më tepër.
"Ajo dehej shpesh. Njësoj bëja dhe unë. Kjo na bashkonte, dashuria dhe e pira. Kohët e fundit kishte raste kur më godiste. E duroja sepse e doja. Pastaj nuk durova dot më.”
Ndërkohë për të shmangur përgjegjësinë, autori ka thënë:
“Peshqirët me gjak i hodha në plehra, mendova se kishte therur ndonjë pulë. Ishte shumë e fiksuar pas pastërtisë.”
Pas 7 orësh pyetje, ballafaqimit me pamjet filmike, dëmtimeve fizike që kishte marrë vetë gjatë përleshjes, si dhe eksperimentit hetimor në vendngjarje, autori ka pranuar krimin, duke u shprehur i penduar. Por autoritetet kanë njoftuar se 31-vjeçari do t’i nënshtrohet një ekspertize psikiatrike, për të vlerësuar gjendjen e tij mendore në kohën e krimit.