Është gjetur i pajetë turisti 57-vjeçar nga Portugalia, i cili ishte shpallur i zhdukur që prej pasdites së djeshme.
Burime nga Policia bëjnë me dije se i ndjeri Antonio Manuel Antunes Gonçalvesë, u gjet pa shenja jete në afërsi të zonës ku ishte parë për herë të fundit.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se vdekja e tij ka ardhur si pasojë e mbytjes.
Trupi i pajetë i turistit portugez është transportuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku do t'i nënshtrohet autopsisë për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
Njoftimi i Policisë:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë më datë 27.07.2025, lidhur me shtetasin portugez A. G., 57 vjeç, i cili ishte raportuar i zhdukur në det, në afërsi të lagunës, në vendin e quajtur “Buka e Vivarit”, ju informojmë se:
Shërbimet e Policisë Kufitare, kanë bërë të mundur gjetjen në det të trupit të pajetë të këtij shtetasi, në afërsi të zonës ku ai ishte parë për herë të fundit.
Trupi i pajetë do të transportohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për kryerjen e autopsisë, me qëllim përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes, e cila dyshohet paraprakisht të jetë shkaktuar nga mbytja në det.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.