Forca e Sigurisë së Kosovës sapo kanë arritur te Liqeni i Ujmanit, konkretisht te ura ku dyshohet se kërceu një person më 27.07.2025 dhe nuk doli më nga uji.
Në afërsi të urës po vendoset Njësia e kërkim-shpëtimit ujor të FSK-së me pajisjet përkatëse të tyre për të filluar më pas kërkimet për gjetjen e personit i cili nga dita e diel u zhduk pa gjurmë në liqe.
Edhe sot më 29.07.2025, po vazhdon operacioni i kërkimit për 33-vjeçarin që dyshohet se është mbytur të dielën pasdite në Liqenin e Ujmanit, në Zubin Potok.Sipas Policisë së Kosovës, ai ishte hedhur në liqen dhe nuk është parë më duke dalë në sipërfaqe.Pavarësisht angazhimit të ekipeve të kërkim-shpëtimit, përfshirë njësinë e zhytësve dhe emergjencat, deri më tani nuk është gjetur asnjë gjurmë e tij.
Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim ka bërë thirrje për kujdes me informacionet që qarkullojnë në rrjete sociale.“Të gjitha informacionet zyrtare do të publikohen vetëm nga institucionet kompetente.
Lajmet e pabazuara vetëm sa pengojnë operacionin dhe krijojnë konfuzion”, thuhet në njoftimin e shoqatës.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka apeluar qytetarët, veçanërisht mërgimtarët, që të mos kërcejnë nga ura në liqen, duke theksuar se rasti i fundit është pasojë e mungesës së kujdesit.Policia ka njoftuar për rastin edhe në raportin 24 orësh, duke e iniciuar si vdekje të dyshimtë.

