Tre të akuzuarit për vrasjen e 56-vjeçarit Anesti Rama në Frashër të Patosit kanë mbërritur në Gjykatën e Shkallës së Parë në Fier, ku do të përballen me drejtësinë për krimin tronditës. Në bankën e të akuzuarve janë Emalinda Rama, 26 vjeçe, nëna e saj Valbona Rama, 53 vjeçe, dhe Çlirim Dogani, 55 vjeç, të cilët akuzohen për bashkëpunim në një vrasje të rëndë e të paramenduar.
Seanca gjyqësore do të zhvillohet nën drejtimin e gjyqtares Klodiana Keyeziu dhe prokurores Lorena Sallillari. Sipas hetimeve paraprake, krimi është kryer me një dhunë brutale: viktima dyshohet se është goditur fillimisht me sende të forta dhe në organet gjenitale nga vajza e tij, më pas është mbajtur nga duart nga Çlirim Dogani ndërsa e bija e mbyti me tel.
Pas aktit të rëndë, Valbona Rama dyshohet se ka ndihmuar në fshirjen e gjurmëve dhe pastrimin e trupit të pajetë. Mjeti i krimit, një tel, u sekuestrua nga Policia si provë materiale. Avokatët mbrojtës kanë deklaruar se Emalinda dhe nëna e saj kanë dhënë disa versione të ndryshme të ngjarjes gjatë marrjes në pyetje, duke krijuar kontradikta të forta në dëshmitë e tyre.
Sipas mbrojtjes, paqëndrueshmëria në deklarata tregon për përpjekje të mundshme për të fshehur të vërtetën. Avokati ka vënë në dukje gjithashtu mungesën e pendesës dhe qetësinë e pazakontë të të dyjave gjatë marrjes në pyetje.
Vrasja u zbardh përmes përgjimeve telefonike, ku pas ngjarjes, 26-vjeçarja rezulton të ketë komunikuar me Doganin, për të cilin dyshohet se kishte një marrëdhënie intime. Ky i fundit është i martuar dhe baba i dy fëmijëve. Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal dhe pritet që procesi gjyqësor të hedhë dritë mbi motivet dhe rrethanat e krimit makabër.