“Paguam 3,000 € për një krevat mbi arka shishesh”, shqiptarja denoncon ‘Poda hotel’ në Ksamil

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 28.07.2025, 13:29

Një shqiptare nga Kosova ka denoncuar në redaksinë tonë përvojën e saj të hidhur gjatë pushimeve në Ksamil, ku tregon për një seri problemesh që nga mosrespektimi dhe mashtrimi deri te kushtet e papranueshme në hotel.

Ajo ka treguar se kthimi në Shqipëri pas 5 vitesh nuk ishte aspak i këndshëm pasi që kur mbërriti në aeroport u përball me një situatë aspak normale dhe shumë lodhëse. Por duke lënë pas këtë përvojë, ajo tregon se bashkë me familjen u nis për në Ksamil, pasi që në muajin mars kishte rezervuar një dhomë në “Poda Hotel” për 10 nete me 320 euro nata, ku ishte i përfshirë mëngjesi, shezllonët dhe një përqindje në konsumin e darkës.

Por realiteti ishte krejt ndryshe nga reklamimi dhe rezervimi i kryer. Ajo thotë se që natën e parë, stafi i restorantit të hotelit i njoftoi se për të përfituar 20% ulje duhet të konsumonin minimumi 60 euro, edhe pse kjo gjë nuk ishte e shkruar në kontratë apo njoftuar më parë nga recepsioni.

E sikur të mos mjaftonte kjo, shqiptarja thotë se edhe kushtet e dhomës ishin shumë larg pritshmërive. Ajo ka treguar se krevati i djalit 3-vjeçar, në fakt divan me hapje, ishte i prishur, i vendosur mbi dy arka shishesh uji që nga çasti në çast mund të rrëzohej.

Këtë problematikë ajo e raportoi menjëherë te stafi i hotelit, por thotë se zgjidhja e tyre nuk erdhi kurrë pavarësisht ankesave të vazhdueshme. Shqiptarja ka kërkuar një takim me pronaren dhe pas shumë diskutimeve e debateve, pronarja u ka zbritur 200 euro nga çmimi dhe recepsionistja i ka konfirmuar se rregullorja e minimumit 60 euro për të përfituar zbritjen prej 20% në darkë është hequr.

Duke besuar fjalët e saj, shqiptarja ka shkuar në restorant për të konsumuar darkën, por sërish kur ka marrë faturën ka parë që ulja 20% nuk është aplikuar. E zhgënjyer nga këto probleme të vazhdueshme dhe mashtrime, shqiptarja ka denoncuar sjelljen e ftohtë dhe të pasjellshme të stafit duke shpresuar që kjo të mos ndodhë edhe me turistët e tjerë.

Denoncimi i shqiptares:

Përshëndetje, si jeni? Jam një shqiptare nga Kosova dhe dua të ndaj përvojën time të hidhur në Ksamil, në hotelin dhe butikun “Poda”. Kam shumë prova për mashtrim, mungesë respekti, kurthe dhe vjedhje. Nëse jeni të gatshëm të më ndihmoni, do t’ju jem mirënjohëse. Jam shumë e zhgënjyer, pasi ky ishte kthimi im në Shqipëri pas 5 vitesh.

Eksperienca jonë filloi keq që në aeroportin e Tiranës, ku kishim rezervuar dhe paguar për një makinë, por nuk donin të na e jepnin. Unë kisha vetëm djalin 3 vjeç dhe na lanë të presim për 4 orë. Pas gjithë pritjes, pashë një polic që na ndihmoi dhe detyroi ata t’ia jepnin makinën personit që ishte vetëm dy metra larg nesh dhe që e kishte rezervuar.

Kisha ëndërruar gjithmonë të vizitoja Ksamilin, pasi ishte pjesa e vetme e Shqipërisë ku nuk kisha qenë. Kam bërë rezervimin në Poda Hotel që nga marsi për 10 net me çmim 320 euro nata, ku përfshihej mëngjesi, shezllonet, peshqirat dhe një zbritje për darkën. Pak ditë para nisjes, pyeta përsëri për zbritjen në darkë dhe më thanë se është 20%.

Arritëm më 8 korrik rreth orës 19:00. Pasi shikuam dhomën pak, sepse ishim shumë të uritur pas udhëtimit të gjatë, shkëmbyem disa fjalë në restorant. Një kamarier na pyeti për verë, por ne shpjeguam që nuk konsumojmë alkool, vetëm një gotë në tre muaj. Pas pak, i njëjti kamarier na tha se duhet të konsumonim minimum 60 euro për të pasur të drejtën e zbritjes 20%, gjë që nuk ishte shkruar askund në ofertë dhe as nuk na u tha në recepsion. U ngritëm të zemëruar dhe shkuam në një restorant tjetër.

Në dhomë, kuptuam që divani i djalit që duhej të shtrihej, ishte i prishur dhe mbahej vetëm nga një hekur i cili mund të rrëshqiste në çdo moment (të gjitha këto i kam filmuar). Telefoni për të thirrur recepsionin nuk funksiononte. I informova, por më thanë se krevati ishte në rregull. Insistova që të bëhej diçka, sepse nuk mund ta leja djalin të flinte aty. Pas pritjes rreth 1 ore e gjysmë, askush nuk u kthye të na ndihmonte. Kur dola përsëri në recepsion, më thanë se krevati ishte në rregull dhe nuk kisha pse të zbresja.

Unë dhe burri vendosëm të flinim në krevatin tonë me djalin, dhe i dërgova një mesazh hotelit se do të çoja gjithçka në polici. Më pas, në orën 11:30, mora mesazh nga hoteli që nesër duhet ta lëshonim dhomën. Unë iu përgjigja se pa rregulluar gabimet nuk do të largohesha dhe kërkova kthimin e 500 eurove që kisha paguar, duke kërkuar takim me pronarin.

Dija që pronarja kishte humbur burrin rreth një muaj më parë, por më thanë se pronari nuk ishte aty për dy javë. Të nesërmen, pronarja na thirri për një takim, ku fillimisht ishte shumë e vështirë të komunikonim, pasi ngrinte zërin dhe përsëriste "Dëgjoje Meriten". I kërkova me ngulm që të mos e bënte këtë, pasi ishim të lodhur nga udhëtimi që kaluam në katër vende dhe gjumi nuk na ishte i mirë për shkak të hapësirës së vogël. Unë dhe burri propozuam një ulje të çmimit si një gjest modest për të mbyllur situatën, por ajo tha se do të vendosnin diçka që krevati të mos binte.

Në fund, paguam 3000 euro në vend të 3200 që ishte çmimi fillestar. Pas disa ditësh, e njëjta recepsioniste më shkruajti se rregullorja e 60 eurove ishte hequr dhe mund të përdorim zbritjen prej 20% në darkë. Burri im, që është francez, nuk ishte shumë dakord, por pranoi. Kur deshëm të bënim pagesën, u habitëm që nuk ishte aplikuar zbritja. Burri me mirësi pyeti dhe iu tha se nuk kishte konsumuar 60 euro. Unë përpiqesha të shpjegoja bisedat me recepsionistet, por kamarieri ishte i pasjellshëm dhe bëri zbritjen me shumë pak, më pak se 20%. Në fund, na tha që mund të iknim, pa asnjë fjalë falenderimi apo respekti.

Kjo foto është bërë 6 ditë më pas, kur pastrueset kishin lënë jashtë ato dy hekurat që lëvizin me gozhda. Burri im u rrëzua mbi to, unë i thashë stafit të shihnin çfarë kishte ndodhur, por nuk morëm asnjë reagim. Vetëm na thanë se kishin tentuar t’i hiqnin, por nuk kishin mundur.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit