Qëndrimi i zgjatur i të rinjve për orë të tëra në rrjetet sociale po kthehet në një kërcënim serioz për shëndetin mendor të tyre. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 1 në 7 individë në Shqipëri vuan nga çrregullime të shëndetit mendor – një shifër alarmante që lidhet drejtpërdrejt me ndikimin negativ të jetës virtuale.
Ekspertët theksojnë se izolimi përpara ekranit dhe presioni social i krijuar nga aplikacione si Instagram, TikTok dhe Snapchat, po e përkeqësojnë situatën dhe kjo ka bërë që të rinjtë e sotëm të jenë agresivë me njëri-tjetrin.
“Aksesimi për orë të tëra në rrjetet sociale në aplikacione si Instagram, TikTok apo Snapchat – problemi më i madh në këto aplikacione është ndërveprimi i historive, i cili duke qenë i pakontrolluar, sigurisht që sjell edhe probleme që ne i kemi parë të kenë prodhuar edhe kronika të zeza”.
Në përpjekje për të përballuar pasojat psikologjike, shumë të rinj po i drejtohen farmacive në vend të mjekëve specialistë, duke kërkuar barna qetësuese pa recetë. Farmacistët thonë se medikamente të forta si benzodiazepinat u jepen të rinjve jashtë protokolleve mjekësore, çka përbën një shkelje të ligjit dhe rrit rrezikun e abuzimit.
“Por në raste sporadike, kjo kategori barnash jepet pa recetë mjekësore. Kryesisht kërkesa i drejtohet grupit të benzodiazepinave. Është kategori e barnave që veprojnë drejtpërdrejt në sistemin nervor. Kjo kërkesë në një kategori të caktuar të rinjsh lidhet me problemet e shëndetit mendor, por përdoret edhe nga përdoruesit e drogës, ku numri i tyre vjen gjithnjë në rritje”.
Për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të situatës, ekspertët kërkojnë rol më aktiv të prindërve dhe shkollës, duke promovuar edukimin për përdorimin e sigurt të rrjeteve sociale dhe zhvillimin e aktiviteteve sociale dhe ndërvepruese në jetën reale.
“Fëmijët dhe të rinjtë kanë nevojë për mbështetje, orientim dhe alternativa reale për të ndërtuar identitetin e tyre jashtë botës virtuale,” theksojnë specialistët.
Ndërkohë, autoritetet shëndetësore dhe arsimore duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të adresuar këtë krizë në rritje.