Industria e turizmit në Greqi po përjeton një mungesë të madhe fuqie punëtore, ndërsa qeveria greke vijon të ndjekë politika të ashpra kundër emigrantëve.
Sipas Shoqatës Greke të Hoteleve, vendi ka nevojë për të paktën 60,000 punëtorë sezonalë në turizëm, ndërkohë që mungesa është akute edhe në ndërtim dhe bujqësi.
Edhe pse Greqia ka nënshkruar marrëveshje për të rekrutuar punëtorë nga vende si Gjeorgjia, India dhe Vietnami, këto marrëveshje po zbatohen ngadalë për shkak të burokracisë dhe kushteve jo të favorshme për punëtorët e huaj. Pronarët e hoteleve dhe bizneseve turistike raportojnë vështirësi ekstreme në gjetjen e stafit, pavarësisht ofertave me pagë dhe akomodim. Në të njëjtën kohë, qeveria e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis po ashpërson ligjet për emigracionin, duke refuzuar lejet e qëndrimit dhe duke ndjekur politika riatdhesimi, në përpjekje për të tërhequr elektoratin e djathtë. Ministri i ri i Migracionit, Thanos Plevris, ka deklaruar publikisht se emigrantët pa dokumente do të përballen me burg ose dëbim.
Ekspertët paralajmërojnë se mungesa e një politike të mençur emigracioni rrezikon jo vetëm sezonin turistik, por edhe sektorë kyç të ekonomisë greke, të cilët prej dekadash janë mbështetur te puna e emigrantëve, veçanërisht nga Shqipëria.
Deri në kohën e krizës ekonomike, Greqia ishte shumë e varur nga fuqia punëtore nga Shqipëria. Gjatë programeve të "rimëkëmbjes financiare" (2010-2018), kërkesa ra ndjeshëm. Megjithatë, pas pandemisë, kur ekonomia u rimëkëmb dhe turizmi u rrit kjo kërkesë u shumëfishua. Por të njëjtin zhvillim patën edhe vende të tjera që ofrojnë paga më konkurruese dhe procedura më të thjeshta legalizimi për emigrantët. Si rezultat, shumë punëtorë të bujqësisë të emigruar nuk u kthyen kurrë në Greqi. Prandaj, duket e qartë se Greqia ka nevojë për një politikë tërheqëse imigracioni. Përveç 60,000 punëtorëve shtesë të nevojshëm në turizëm, nevojiten edhe 50-60,000 të tjerë në sektorin e ndërtimit dhe 60,000 në sektorin e bujqësisë.
Situata aktuale në Greqi kërkon masa urgjente dhe politika më të hapura ndaj emigracionit të ligjshëm, në të kundërt, Greqia rrezikon të humbasë një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së saj: turizmin.