Një reportazh i gjatë dhe kritik i publikuar nga gazeta e njohur italiane Il Fatto Quotidiano hedh dritë mbi “boom”-in e ndërtimeve në Tiranë, duke vënë në qendër të vëmendjes marrëdhënien mes kryeministrit Edi Rama dhe arkitektit italian Stefano Boeri. Sipas gazetës, Boeri është jo vetëm autor i planit “Tirana 2030”, por edhe përfitues i drejtpërdrejtë nga ky projekt, përmes përfshirjes në garat për ndërtimet më të mëdha urbane në kryeqytet.
Artikulli e përshkruan këtë plan si një projekt që favorizon ndërtimet private dhe fitimet e tregut të pasurive të paluajtshme, në dëm të hapësirave publike dhe interesit të qytetarëve. Sipas të dhënave të përmendura, Tirana është kthyer në një kantier të pafund ndërtimi me miliona metra katrorë beton të planifikuar deri në vitin 2030, ndërkohë që qyteti vuan për parqe, shkolla, transport publik të besueshëm dhe shërbime bazë për komunitetin.
Në artikull theksohet se shumë nga këto ndërtime janë të zbrazura, sepse nuk ndërtohen për banorët aktualë, por për një treg elitar investitorësh dhe për një popullsi të projektuar, që ende nuk ekziston. “Il Fatto Quotidiano” ngre dyshime serioze për transparencën e këtij modeli zhvillimi urban dhe shtron pyetjen thelbësore: për kë po ndërtohet Tirana? Sipas gazetës, lidhjet e hershme mes Boeri-t dhe Ramës kanë çuar në një zhvillim të njëanshëm të qytetit një Tiranë për të pasurit dhe jo për qytetarët e zakonshëm.