Qeveria rrit taksat e ndërtesës për qytetet bregdetare dhe urbane

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 28.07.2025, 09:22

Qeveria ka propozuar një rritje të çmimeve të referencës për shitblerjen e apartamenteve në të gjithë vendin, çka do të sjellë automatikisht edhe një rritje të detyrimeve për taksën e ndërtesës së banimit. Sipas metodologjisë së re të propozuar nga Ministria e Financave, qytetarët që banojnë në zonat urbane dhe turistike si Durrësi, Vlora, Saranda, Korça, Kamza, Fieri dhe Shkodra do të përballen me detyrime më të larta, ndërsa qytetet më të vogla si Fushë-Arrëzi, Bajram Curri, Klosi apo Kuçova do të vijojnë të kenë taksa më të ulëta.

Në qytetet bregdetare rritja është më e ndjeshme. Për shembull, në Durrës detyrimi për një apartament 90 m² mund të shkojë deri në 9,000 lekë në vit, nga 3,038 lekë që është aktualisht, për zonat më të kërkuara si ajo pranë Portit. Edhe në Vlorë, një apartament në Lungomare do të ketë një detyrim vjetor prej 4,410 lekë, me një rritje prej 59%. Ndërkohë, në Sarandë, për zonat afër detit, taksa rritet me 79%. Në të gjitha rastet, rritja është në përpjesëtim të drejtë me rritjen e çmimeve të referencës të përcaktuara për zonat përkatëse.

Për familjet në rrethe, ndonëse do të ketë një rritje të moderuar të detyrimeve, ato mbeten shumë më të ulëta. Në Fushë-Arrëz, p.sh., taksa e ndërtesës për një banesë 90 m² do të rritet nga 338 lekë në 473 lekë në vit, ndërsa në Kukës do të shkojë nga 2,430 lekë në 2,610 lekë. Efektet e ndryshimeve të reja do të nisin të zbatohen nga 1 janari 2026 dhe pritet të reflektohen në faturat e ujit të pijshëm, për të gjitha bashkitë e vendit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit