Një aksident i rëndë hekurudhor ka ndodhur pasditen e së dielës në jugperëndim të Gjermanisë, ku një tren pasagjerësh ka dalë nga shinat, duke shkaktuar të paktën tre viktima dhe disa të plagosur rëndë.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 18:10 pranë qytetit Riedlingen, afër Shtutgartit, teksa treni po udhëtonte në linjën Sigmaringen-Ulm, një distancë prej 90 kilometrash. Sipas autoriteteve, në momentin e aksidentit ndodheshin rreth 100 persona në bord, dhe të paktën dy vagonë kanë dalë nga shinat në një zonë pyjore.
Shkaku i incidentit nuk është konfirmuar ende, por mediat vendase raportojnë se pak para daljes nga shinat, zona ishte prekur nga një stuhi e fortë.
Kancelari Friedrich Merz ka shprehur ngushëllimet për viktimat përmes një postimi në rrjetin X, duke shtuar se është në kontakt të vazhdueshëm me ministrat përkatës për të garantuar mbështetjen e plotë të ekipeve të shpëtimit.
Policia e Ulmit konfirmoi se “tre persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur rëndë”, ndërsa operatori kombëtar i trenave, Deutsche Bahn, tha se situata mbetet ende e paqartë dhe po hetohet.
Autoritetet gjermane kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e kësaj tragjedie.