Bedinaj bën për spital policin që dhunoi kamarierin

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 27.07.2025, 13:23

Një incident i rëndë ka ndodhur në një lokal në lagjen “Pavarësia 2” në Vlorë, ku një konflikt për një shishe ujë më shumë përfundoi me dhunë fizike dhe ndërhyrje të policisë. Gjatë natës, Nënkomisari Ardian Isufi, ish-shef i Rrugores së Vlorës dhe aktualisht oficer i Policisë Kufitare në Dibër, së bashku me shtetasin Leart Bimo, kanë dhunuar një kamerier 18-vjeçar në lokal.

Situata u përshkallëzua më tej kur pronari i lokalit dhe i “Regina Group”, Vasil Bedinaj, ndërhyri në mbrojtje të kamerierit dhe goditi oficerin Isufi, i cili mbeti i plagosur dhe u shtrua në Spitalin Rajonal të Vlorës. Kjo nuk është hera e parë që Vasil Bedinaj, një biznesmen i njohur në Vlorë dhe pronar i një rrjeti hotelesh dhe restorantesh, përfshihet në dhunë fizike.

Në gusht të vitit 2024, Bedinaj sulmoi me grusht në fytyrë një qytetar që kishte shprehur pakënaqësi për hapësirat e plazhit të zëna nga hoteleri i tij. Konflikti u filmua dhe u shpërnda në rrjetet sociale, ndërsa situata u shmang nga përleshje më të thella falë ndërhyrjes së personave të tjerë.

Vasil Bedinaj ka qenë më parë në qendër të vëmendjes për probleme ligjore dhe konflikte të ndryshme, duke përfshirë ndërtim pa leje në zonën e Radhimës dhe një atentat në tentativë në vitin 2016. Për më tepër, ai ka bërë kërkesa për projekte të mëdha turistike, si ngritja e një stacioni plazhi në Ishullin e Sazanit, që kanë ngjallur shqetësime për veprimtarinë dhe ndikimin e tij në bregdetin e Vlorës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit