Situatë kritike në Piqeras, digjet Manastiri i Shën Mërisë: Zjarri po iu afrohet banesave!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 27.07.2025, 00:33

Vatra e zjarrit në fshatin Piqeras, një zonë e njohur për vlerat turistike dhe kulturore, ka dalë jashtë kontrollit. Flakët janë përhapur me shpejtësi, duke shkaktuar panik te banorët dhe bizneset që operojnë në këtë zonë bregdetare.

Burime pranë JOQ Albania konfirmojnë se zjarri ka përfshirë edhe Manastirin e Shën‑Mërisë së Kremesovës, një monument kulture i ndërtuar rreth vitit 1672, i shtrirë mbi kodrën e fshatit, që ofron pamje nga ishujt e Korfuzit dhe mali i Llogarasë.

Ky manastir konsiderohet një vend i shenjtë për komunitetin lokal, i cili vizitohet për lutje dhe pelegrinazhe, dhe besohet të ketë sjellë “mrekulli” për vizitorët me probleme shëndetësore.

Situata paraqitet kritike, pasi zjarri është rreth 150 metra larg banesave dhe objekteve tregtare. Ai është përhapur në një zonë kodrinore me bimësi të dendur dhe të thatë, duke e bërë jashtëzakonisht të vështirë ndërhyrjen nga toka.

Era e fortë po ndihmon përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara, duke rritur ndjeshëm rrezikun për jetën dhe pronat e banorëve.

Edhe pse forcat zjarrfikëse dhe strukturat lokale janë në terren, mungesa e infrastrukturës dhe vështirësia e terrenit e kanë bërë thuajse të pamundur ndërhyrjen efektive.

Banorët kanë bërë thirrje urgjente për ndërhyrje ajrore, duke kërkuar ndihmën e shtetit për të shmangur një katastrofë të mundshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit