Ulsi Manja dhe Klevis Qose s’u japin hakun punonjësve të Policisë së Burgjeve

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 26.07.2025, 23:39

Një tjetër punonjës i Policisë së Burgjeve i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar padrejtësitë e vazhdueshme që ata përjetojnë në punë, ku shkeljet ligjore dhe shpërfillja institucionale janë kthyer në normë.

Sipas tij, prej 1 janarit 2021, me hyrjen në fuqi të ligjit nr. 1020/2020, punonjësve të policisë së burgjeve u takojnë ushqime të përfshira në pagë, por nuk i kanë marrë asnjëherë, ndërsa autoritetet heshtin dhe nuk japin asnjë përgjigje.

Ai gjithashtu thekson një tjetër shkelje flagrante: pagesat për ditët e shtuna dhe të diela, të cilat duhet të kompensohen përkatësisht me 120% dhe 150% të pagës, lëvrohen sikur të ishin ditë të zakonshme pune. Kur punonjësit kërkojnë llogari, eprorët u thonë thjesht: “Hidhni shtetin në gjyq dhe do fitoni vetëm për 3 vitet e fundit.”

“Ju lutem bëni diçka. Jemi familjarë. Kolegët tanë në Policinë e Shtetit i marrin të gjitha, ne jo,” përfundon ai.

Kujtojmë që JOQ Albania ka publikuar disa herë më parë raste të ngjashme, ku punonjës të Policisë së Burgjeve kanë denoncuar trajtimin e pabarabartë, mungesën e pagesës së 13-të, kushtet e vështira të punës dhe mosrespektimin e të drejtave minimale që u garantohen me ligj.

Një tjetër efektiv pak javë më parë denoncoi:

“Nuk mund të na krahasojnë me pensionistët, sepse po lejmë trurin në punë dhe përballojmë çdo ditë presionin e të dënuarve.”

Pavarësisht se përballen çdo ditë me rrezik e presion psikologjik, këta punonjës vijojnë të injorohen nga shteti, duke mos marrë as shpërblimet që u takojnë me ligj.

JOQ Albania i bën thirrje publike Ministrisë së Drejtësisë, ministrit Ulsi Manja dhe drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve Klevis Qose, të japin llogari dhe të marrin masa të menjëhershme për zbatimin e ligjit dhe trajtimin me dinjitet të këtyre punonjësve, të cilët janë shtylla e rendit në një nga strukturat më të vështira të sistemit tonë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit