Në Shqipërinë e “shtetit të së drejtës”, ku drejtësia fryhet e shfryhet sipas interesit të ditës, ministri i Drejtësisë, Ulsiu, sapo na dha lajmin më të bujshëm: burgimi i përjetshëm nuk është më përjetë. Falë Kodit të ri Penal, edhe vrasësit më të rrezikshëm do të kenë mundësi të dalin me lirim me kusht.
Po po, e lexuat mirë. Kriminelët që kanë marrë dënime makabre për vepra që kanë tmerruar opinionin publik, vrasje, përdhunime, masakra, tani do të kenë një shans të ri… për të marrë pak ajër të pastër. Se sipas Ulsiut, të mos i japësh një vrasësi një shans të dytë, është shkelje e të drejtave të njeriut.
Ndërkohë në këtë vend:
– Parkove dysh? Rrezikon burg.
– Shet qumësht, rigon, vezë fshati? Drejt e në Prokurori.
– Flet keq për qeverinë? Dosje e hapur, ndoshta edhe ndjekje penale.
– Mendon ndryshe? Shans i madh që të jesh “konspiracionist i rrezikshëm”.
Ndërsa këta që kanë prerë njerëz në mes të ditës, që kanë lënë fëmijë jetimë, gra të dhunuara, familje të shkatërruara – këta, sipas Ulsiut, meritojnë një shans tjetër.
Sepse në mendësinë e Ministrit të Drejtësisë: “Krimi nuk ndëshkohet. Krimi riedukohet. Po populli? Ai të mbyllë gojën e të futet brenda në burg!”
Ulsiu, mjeshtër i retorikës boshe dhe “reformave” me efekt anësor kriminal, po e shet këtë lëvizje si përparim europian. Por në realitet, po ndërton një sistem ku:
– Vrasësi lirohet,
– Hajduti riedukohet,
– Ndërsa qytetari i thjeshtë ndëshkohet!
Sot, falë Ulsiut tonë – Ulsiut e lirisë me kusht – krimi jo vetëm që nuk paguan, por edhe lirohet me nderime.
Populli? Ai vazhdon të rrijë në rresht për të firmosur ndonjë gjobë, ndërsa vrasësit dalin për shëtitje.
Rroftë Ulsiu! Ministër i drejtësisë, por vetëm për të fortët.
Për popullin? S’ka liri me kusht – ka vetëm shtypje pa kushte.