Mrekulli në SHBA! Lindi në javën e 21 të shtatzanisë, hyn në Guinness si “bebi më i parakohshëm në botë” që ka mbijetuar

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 26.07.2025, 18:01

Një foshnjë nga Iowa, SHBA, i quajtur Nash Keen, ka hyrë në Librin e Rekordeve Guinness si bebi më i parakohshëm që ka mbijetuar ndonjëherë, pasi erdhi në jetë vetëm 21 javë pas fillimit të shtatzënisë, plot 133 ditë përpara afatit.

Nash, që peshonte vetëm 283 gram kur lindi më 5 korrik 2024, festoi së fundmi ditëlindjen e tij të parë, duke u bërë simbol i forcës dhe i shpresës.

Për shkak të gjendjes së tij të brishtë, ai kaloi 6 muaj në repartin e terapisë intensive për të sapolindurit në spitalin “University of Iowa Stead Family Children's Hospital”. Prindërit e tij, Mollie dhe Randall, thanë se pavarësisht sfidave, Nash është sot një djalë i lumtur dhe plot jetë.

“Mund të mendosh se do të ishte i brishtë pas gjithçkaje që ka kaluar, por jo. Është shumë kurioz dhe gjithmonë me buzëqeshje në fytyrë,” u shpreh nëna e tij për Associated Press.

"Lindja ndodhi pas një kontrolli rutinë në javën e 20-të të shtatzënisë, kur mjekët zbuluan se mitra e Mollie kishte filluar të hapej vetvetiu. Pak ditë më vonë, ajo hyri në lindje dhe solli në jetë Nash-in në ditën e 147-të të shtatzënisë, duke thyer rekordin botëror për lindjen më të parakohshme me një ditë diferencë."

Pavarësisht se ende ka nevojë për oksigjen dhe për një tub ushqimi, Nash po forcohet dita-ditës dhe ka nisur të qëndrojë në këmbë.

“Ka shumë forcë në këmbët e tij. Është duke mësuar të qëndrojë në këmbë, që është fantastike,” tha nëna e tij.

Mjekja që asistoi në lindje, dr. Malinda Schaefer, tregoi se prindërit ishin njoftuar paraprakisht për komplikacionet e mundshme, por ekipi mjekësor mbeti gjithmonë i qetë dhe profesionist gjatë gjithë kohës.

Kjo histori vjen si një rreze drite për familjen, e cila më parë kishte përjetuar një shtatzani të dështuar. Sot, Nash është simboli i një mrekullie të vërtetë mjekësore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit