Një situatë e rëndë dhe alarmante është duke u zhvilluar prej dy javësh në një pallat në rrugën “Haxhi Dalliu”, pranë zonës së Brrakës në Njësinë Administrative nr. 9 në Tiranë.
Banorët raportojnë se një prej pronarëve të një apartamenti në katin e parë ka modifikuar në mënyrë të paligjshme sistemin e kanalizimeve të ndërtesës, duke ndërprerë tubacionin kryesor të shkarkimeve nga katet e sipërme dhe duke e nxjerrë atë drejtpërdrejt në hapësirat e përbashkëta të shkallës.
Sipas denoncimit të banorëve, personi në fjalë ka ndërtuar një linjë të veçantë vetëm për apartamentin e tij, ndërsa për pjesën tjetër të pallatit, tubacioni i përbashkët është lënë i hapur dhe i shkëputur, duke shkaktuar rrjedhje dhe ndotje të rëndë.
Ata thonë se IMT ka hequr tubat, por nuk ka ndërmarrë masa të mëtejshme për rehabilitimin e situatës, UKT ka pastruar vetëm pusetën jashtë në rrugë ndërsa Policia ka kërkuar thjesht të bëhet denoncim, i cili tashmë është kryer nga banorët.
Pavarësisht ankesave dhe denoncimeve, prej më shumë se dy javësh situata nuk është zgjidhur dhe banorët detyrohen të ecin mbi tulla dhe mbetje për të hyrë në apartamentet e tyre, ndërsa aroma e rëndë dhe rreziku për shëndetin publik janë bërë të padurueshme, sidomos në temperaturat e larta të verës.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet për të rivendosur funksionimin normal të kanalizimeve dhe për të marrë masa ligjore ndaj përgjegjësit.
Denoncimi i qytetarit:
Nje person ka blere apartamentin e pare te katit te pare. E mes tere punimeve te apartamentit ka bere dhe kete shpikje : tubacionin e shkarkimit te ujerave te zeza e te bardha te krahut te pjeses te tij e nderpret tek kati i dyte dhe e nxjerr ne shkalle . Per pjesen e tij ka bere linje me vete. Banoret te shqetesuar e alarmuar njoftojne polici, imt,ukt etj. Vjen IMT i heq tubat. Kaq kemi ne detyre – thone
Vjen Ukt kontrollon e pastron puseten jashte ne rruge ( !!!) – kaq kemi ne detyre...
Vjen policia thote beni denoncim !
Eshte bere denoncimi !
Asgje nuk eshte zgjidhur prej 2 javesh banoret ecin mbi tulla per te shkuar ne apartamentet e tyre ! Tmerrrrr ne kete vape te frikshme , kjo situate ne kete pallat eshte nje bombe alarmi per epidemi ! Tek njesia 9 (treni) Kjo eshte rruga e Brrakes. Rruga Haxhi Dalliu