Vdekja e 51-vjeçarit te ‘313-a’, familjarët e tij akuzojnë burgun për neglizhencë

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 26.07.2025, 12:01

Vdekja e Besnik Koçiut, 51 vjeç, në burgun 313 të Tiranës është një ngjarje tronditëse që ka ngritur akuza të rënda ndaj institucioneve shtetërore dhe trajtimit të tij në periudhën para se të ndërroi jetë. Familjarët e Besnikut janë shprehur të shqetësuar dhe të dëshpëruar, duke denoncuar neglizhencën dhe shpërfilljen e institucioneve që, sipas tyre, janë përgjegjëse për humbjen e jetës së tij. Ata insistojnë se vdekja e tij nuk ka qenë pasojë e sëmundjes, por një rezultat i drejtpërdrejtë i moskujdesit dhe injorimit të kushteve të tij shëndetësore nga organet përkatëse.

Besniku, i cili vuante nga aftësi të kufizuara, diabet i avancuar dhe komplikacione të tjera shëndetësore, ishte arrestuar pas një ngjarjeje aksidentale, ku një armë sportive kishte plagosur një person tjetër pa qëllim. Pavarësisht dëshmive të familjes dhe mbrojtjes, dhe dokumenteve mjekësore që dëshmonin gjendjen e tij të rëndë, gjykata vendosi arrestimin e tij në burg. Kjo masë, sipas familjarëve, ishte një vendim i papërgjegjshëm që injoronte të gjitha rrethanat dhe diagnozat e rëndësishme mjekësore.

Familjarët kanë denoncuar gjithashtu trajtimin e tij në burg, duke akuzuar administratën për shpërfillje të kujdesit shëndetësor. Ata kanë treguar se, në momentet e fundit të jetës së tij, Besniku ishte i vetmuar dhe nuk mori asnjë ndihmë mjekësore, pavarësisht se shëndeti i tij kishte përkeqësuar. Ata theksojnë se kjo ngjarje nuk mund të kalojë pa u hetuar dhe kërkojnë që të bëhet e qartë si ndodhi kjo vdekje tragjike. Ata kërkojnë përgjegjësi dhe që drejtësia të marrë vend, jo vetëm për Besnikun, por edhe për të gjithë ata që mund të kalojnë në të njëjtën situatë.

Në kërkesën e tyre për drejtësi, familjarët e Besnikut bëjnë thirrje që ky rast të shërbejë si një shembull për të përmirësuar trajtimin e individëve me probleme shëndetësore në sistemin e drejtësisë dhe të garantohen kushte minimale njerëzore për të gjithë të paraburgosurit. Ata kërkojnë që institucioneve t’u vihet në dorë një ndërgjegjësim dhe përgjegjësi më e madhe për jetën dhe dinjitetin e të burgosurve, pavarësisht akuzave që mund të kenë mbi ta.

Letra e plotë:

Besnik Koçiu, 51 vjeç, ndërroi jetë në burgun 313 Tiranë, më saktë në para-burgim. Dhe jo nga sëmundja. Jo nga fati. Por si pasojë direkte e shpërfilljes institucionale, e neglizhencës sistematike dhe e një zinxhiri vendimesh që morën jetën e tij, kur ende kishte kohë…

Besnik Koçiu ishte përfshirë në një ngjarje aksidentale, ku për pasojë një person tjetër u plagos në këmbë nga një armë sportive (manovër). Ngjarja ndodhi padashje, një gabim njerëzor si ato që mund t’i ndodhin kujtdo. I dëmtuari, jo vetëm që nuk kërkoi ndjekje penale, por e fali menjëherë. E megjithatë, Besniku u arrestua në flagrancë me dyshimin se kishte konsumuar elementë të veprës penale të parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal. Mënyra se si u trajtua ishte larg çdo standardi njerëzor dhe ligjor. Dhe gjithçka nisi që në momentin e parë:

Policia vendosi menjëherë arrestimin, pa bërë një vlerësim të plotë dhe objektiv të rrethanave. Arma e përfshirë ishte një armë sportive (manovër), e blerë me dokumentacion përkatës, dhe ngjarja kishte ndodhur padashje. Nuk u morën parasysh dëshmitë e paraqitura nga familjarët dhe mbrojtja, përfshirë statusin si person me aftësi të kufizuara (grupi II), diabetin e përparuar (me katër lloje insuline, njëra me përbërje specifike, ngjyre kafe), isheminë parciale të pësuar muajt e fundit, si dhe trombozën e rëndë të kaluar gjashtë muaj më parë. Të njëjtat rrethana u shpërfillën edhe nga organi i akuzës, në momentin e administrimit të akteve dhe nisjes së çështjes në gjykatë me kërkesën për caktim të masës së sigurisë.

Gjykata, pasi dëgjoi pretendimet e mbrojtjes dhe administrimit të dokumenteve zyrtare siç i kërkon ligji, përfshirë certifikatat mjekësore të QSUT-së, statusin e invaliditetit, dhe diagnozat e tjera serioze, vendosi t’i injorojë të gjitha. Në vend që të shqyrtonte mundësinë e një mase sigurie më të përshtatshme, vendosi masën më ekstreme: “arrest me burg”.

Institucioni i vuajtjes së dënimit, Burgu 313, nuk tregoi kujdesin dhe ndjeshmërinë minimale njerëzore për një të paraburgosur me probleme serioze shëndetësore. Natën e parafundit të jetës së tij, ai ndante dhomën me disa të burgosur të tjerë, të cilët, duke parë përkeqësimin e dukshëm të gjendjes së tij, kërkuan nga administrata që të ndërhynte. Por në vend që të dërgohej për trajtim mjekësor, Besniku u largua nga dhoma dhe u izolua, në një ambient tjetër. Aty ai ndërroi jetë. I vetëm. Pa kujdesin mjekësor.

Pa ndihmë. Pa asnjë njeri pranë në çastet e tij të fundit. Vetëm dy ditë më parë, me një zë të ulët, ai na tha: “Do vdes këtu”. Lotët e tij i fshimë me duart tona. Bërtitëm, kërkuam, trokitëm në dyer institucionesh por askush nuk dëgjoi. Dhe siç ai kishte ndjerë ndodhi. Por si ka mundësi të ndodhë kjo? Si mund të lëmë një njeri 51 vjeç, të sëmurë rëndë, të vdesë në qeli nga braktisja? Edhe nëse do të ishte fajtor, edhe nëse do të ishte vërtetë kriminel, minimumi që do të meritonte ishte trajtim human, kujdes mjekësor, dinjitet njerëzor. E çfarë kërkojmë ne sot? Nuk kërkojmë më shumë sesa atë që çdo njeri meriton: Të kuptohet si ndodhi kjo vdekje. Të mos mbyllet si një statistikë. Të dihet pse një njeri që duhej të ishte në mjekim, përfundoi sot në dhe.

Kërkojmë që kjo histori të mos harrohet. Që institucionet të mos sillen më me shpërfillje ndaj jetëve njerëzore. Që askush të mos kalojë atë që kaloi Besniku. Ne duam drejtësi, jo hakmarrje, por ndërgjegjësim dhe përgjegjësi nga personat përgjegjës, personat që mund të kishin parandaluar vdekjen e Besnikut. Kjo nuk është vetëm një çështje ligji. Është një çështje humanizmi, ndërgjegjeje dhe dinjiteti. Ju drejtohemi në emër të jetës që u ndërpre padrejtësisht, në emër të çdo njeriu që mund të ishte në vendin e tij e në emër të atyre që nuk kanë zë, por vetëm një shpirt plot me dhimbje dhe zhgënjim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit