Qytetarët e lagjes "Isa Boletini" në Vlorë po kalojnë një periudhë të vështirë pas një bllokimi të tubacionit të ujësjellësit, i cili ka shkaktuar mungesë të ujit të pijshëm për disa ditë radhazi. Banorët janë të detyruar të mbushin ujë me kova për të plotësuar nevojat e përditshme, pasi ujësjellësi nuk ka dhënë një zgjidhje përfundimtare për problemin.
Pavarësisht disa kërkesave dhe denoncimeve në bashki, nuk është dhënë ende një afat konkret për kur pritet që sistemi të rikthehet në normalitet. Banorët shprehen të shqetësuar dhe kërkojnë që autoritetet përkatëse të ndërmarrin hapa të shpejtë për të zgjidhur këtë situatë, e cila ka ndikuar seriozisht në jetën e përditshme të qytetarëve.
"Pershendetje JOQ. Jam nje qytetare e qytetit te Vlores, lagjia "Isa Boletini". Prej disa ditesh nuk kemi uje pasi ka bllokim te tubacionit dhe ujesjellesi nuk jep zgjidhje perfundimtare. Banoret po mbushin uje me kova. Faleminderit!"-shkruan një banor i kësaj lagjeje.
Në një kohë kur Vlora është në kulmin e sezonit turistik, mungesa e ujit ka krijuar jo vetëm probleme për banorët e zonës, por gjithashtu ka krijuar shqetësime për turistët që vizitojnë qytetin. Bashkia Vlorë duhet të ndërhyjë menjëherë dhe të ofrojë një zgjidhje përfundimtare për këtë situatë të vështirë.