Një ngjarje e rrezikshme është regjistruar ditën e sotme në Ibë të Sipërme, ku sipas një denoncimi qytetar, ka shpërthyer një transformator i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE).
“Nënstacioni po merr flakë, plas transformatori!”, thotë qytetarja për JOQ, ndërsa pamjet tregojnë shtëllunga tymi dhe zjarri që përfshijnë godinën elektrike.
Ende nuk ka një reagim zyrtar nga OSHEE lidhur me shkakun e ngjarjes dhe nëse ka të lënduar apo dëme të tjera. Banorët janë të shqetësuar për sigurinë e tyre, ndërsa kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet për të shmangur një tragjedi të mundshme.
Ngjarja ndodh në një periudhë me temperatura të larta dhe ngarkesë të madhe të rrjetit elektrik, çka rrit rrezikun e avarive të tilla.