Zjarri që nisi mesditën e sotme në Kalasë, ka dalë jashtë kontrollit duke përfshirë fshatrat Senicë dhe Palavli në bashkinë Delvinë. Deri tani bilanci në dëme konsiderohet i madh pasi janë shkatërruar 11 shtëpi, ndërsa janë djegur sipërfaqe të mëdha me ullinj.
Flakët e dala jashtë kontrollit nuk kanë kursyer as kishën 200-vjeçare të Shën Dhimitrit në fshatin Senicë, objekt që konsiderohet monumet me vlerë historike dhe kulture, si dhe një ndërtesë identifikuese e krahinës.
“Kisha e para, që është simboli i këtij fshati nga ku ne transmetojmë dashurinë, mirësinë, vëllazërinë u dogj,” tha kryeplaku, ndërsa një banore shtoi: “Na u dogj fshati komplet, shtëpitë, ullinjtë që me zi i kishim rritur, kisha na u dogj i ra çatia në shesh. Se kush e vuri zjarrin se dimë. Erdhi thonë nga fshati Kalasë!”
Ministria e Mbrojtjes ka kërkuar evakuimin e banorëve të tre fshatrave Palavi, Vergo dhe Kopaçëz.
Focat zjarrfikëse po punojnë për të shuar flakët, ndërsa banorëve u është kërkuar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të rrezikut që paraqet situata.