Biznesmeni Gentian Sula, dikur i njohur si mik i afërt i çiftit Veliaj-Xoxa, duket se ka vendosur t’i japë fund kësaj miqësie me një “rrëfim të sinqertë” përpara SPAK-ut. Pasi në dhjetor 2024 u gjetën 220,000 euro në kasafortën e studios ligjore të Ajola Xoxës, të justifikuara me një kontratë kapari me Sula-n, biznesmeni fillimisht u shfaq konfuz e i pasigurt. Por pas gjashtë muajsh reflektim të thellë dhe udhëtimeve jashtë vendit, me siguri për frymëzim ligjor, vendosi të flasë troç. Në një dëshmi të tij, Sula është shprehur se s’ka pasur kurrë as kontratë, as kapar, as punë me Ajolën, vetëm një nënshkrim për ndihmë shoqërore.
Me këtë kthesë, Sula nuk ndryshoi vetëm dëshminë, por edhe pozicionin e tij në këtë histori. Ironia më e madhe është se Gentiani “e tradhton” çiftin, duke lënë të kuptohet se miqësitë në biznes kanë afat skadence, sidomos kur përballen me SPAK-un. Ndërkohë që prokuroria ka marrë të pandehur kryebashkiakun Veliaj, bashkëshorten e tij Xoxa dhe 28 të tjerë, dëshmia e Sulas vjen si një pikë uji e “pastër” në detin e kontratave false. Sepse në fund të ditës, kush ka menduar ndonjëherë që një nënshkrim “si nder” mund të përfundojë në faqet e dosjes penale?