Adela Kondakçi, ish-financierja e OJF-ve të lidhura me Ajola Xoxën dhe studio ligjore “Partner Law”, ka marrë statusin e bashkëpunëtores së drejtësisë nga Prokuroria e Posaçme SPAK. Ajo është gruaja e parë në historinë e drejtësisë shqiptare që pranon të bashkëpunojë me akuzën në një çështje të përmasave të mëdha korrupsioni. Kondakçi pritet të dëshmojë kundër kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe disa prej biznesmenëve më të fuqishëm në vend, përfshirë Gentian Sulën, Shkëlqim Fushën dhe Fatmir Bektashin.
Sipas dosjes hetimore të SPAK, Kondakçi ka dhënë dëshmi për skema financiare të dyshimta, përfshirë sponsorizime të kamufluara nga kompania “Kontakt” ndaj OJF-së “BYL-A” me ndërmjetësimin dhe miratimin e Ajola Xoxës. Pagesat, sipas dëshmisë, janë realizuar për dy edicione të festivalit “ICDF”, njëri prej të cilëve përmes pagesës direkte ndaj një individi të quajtur “Tim Newman”. Po ashtu, Adela ka treguar për kontrata të mbajtura në fshehtësi dhe komunikime direkte të Ajolës me oligarkë, ku sponsorizimet janë përdorur edhe për mbulim shpenzimesh personale.
Një tjetër element tronditës i dosjes është dëshmia e biznesmenit Fatmir Bektashi, i cili pranoi se ka paguar biletat dhe akomodimin në një suitë ekzekutive për Erion Veliajn dhe bashkëshorten e tij në një udhëtim jashtë vendit, me qëllim “shqyrtimin e një projekti të ardhshëm” që do kërkonte më pas miratim ndërtimi nga vetë Veliaj. Ky rrëfim, i publikuar nga Ora News, i bërë në një seancë gjyqësore, shënjon një nga rastet më të qarta të konfliktit të interesit dhe abuzimit të pozitës publike për përfitime private, që ndodhen aktualisht në hetim të thelluar nga SPAK.
Lidhur me faktin penal përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme në seancë gjyqësore, pyeti personin nën hetim Fatmir Bektashi si më poshtë vijon:
Prokurori: Me z. Veliaj përpara se të bënit sponsorizimin e “Bylës”, prej 60. 000 euro, keni pasur një udhëtim jashtë shtetit?
Fatmir Bektashi përgjigjet: Po, në 2016-ën.
Prokurori: Bileta e këtij udhëtimi kush i ka paguar, për Bektashin, për z.Veliaj dhe për bashkëshorten e tij Ajola Xoxa?
Fatmir Bektashi: Sipas asaj që kam parë tek ju, del që i ka paguar “Kontakti”.
Prokurori: Po veç biletës ç’farë keni paguar tjetër për z. Veliaj?
Fatmir Bektashi: Dhomën e Veliaj. Për qëllimin që e mora me vete.
Prokurori: Ku keni qënë në këtë udhëtim, në ç’vend të Bashkimit Europian?
Fatmir Bektashi: Për të parë zanafillën e një projekti të ri. ‘Mangalem 21”.
Prokurori: Pra, ju shkoni me Kryetarin e Bashkisë, duke i financuar biletën dhe qëndrimin në Hotel në një suitë ekzekutive në mos gaboj, për të parë ecurinë e një projekti për të cilin ju se keni nisur akoma dhe për të cilën do të kërkoni lejen e ndërtimit nga ky kryetar Bashkie, a jam i saktë unë?
Fatmir Bektashi: Po.