Më herët gjatë ditës, JOQ ALBANIA publikoi denoncimin e një qytetari për një incident të pakëndshëm që i ndodhi teksa shkonte për vizitë mjekësore në spital.
Ai tregoi se një zonjë që lëvizte me makinë dhe logon e Televizionit “Klan” i preu rrugën pa asnjë lloj sinjali, por edhe pse në faj nisi ta ofendonte dhe kërcënonte.
Këtë incident qytetari e ka shoqëruar edhe me pamje nga momenti që përplaset me zonjën dhe ajo e kërcënon.
Fill pas këtij publikimi, Televizioni “Klan” ka reaguar publikisht për media duke u distancuar nga ngjarja dhe mohuar se zonja në pamje është punonjëse e tyre.
Gjithashtu sipas tyre, logoja e vendosur në automjetin që drejtonte zonja është përdorur në mënyrë të paautorizuar, duke cenuar imazhin dhe reputacionin e TV Klan.
Por sipas burimeve për JOQ ALBANIA, bashkëshorti i zonjës në fjalë është punonjës i këtij televizioni.
Ky i fundit ka kërkuar fshirjen e videos duke pretenduar se bashkëshortja nuk ka sharë, edhe pse në video shfaqet mjaft agresive.
Deklaratë zyrtare e TV Klan
TV Klan mbështet publikimet mediatike që synojnë adresimin e problematikave dhe mbrojtjen e interesave legjitime të qytetarëve. Theksojmë se çdo informacion duhet të verifikohet në mënyrë të plotë dhe të saktë përpara publikimit, në përputhje me standardet ligjore dhe etike, nga çdo palë që merr përsipër informimin publik.
Në lidhje me videon e publikuar sot në faqen JOQ Albania, sqarojmë publikun se personi i shfaqur në pamje nuk është punonjës i TV Klan. Gjithashtu, logoja e vendosur në automjetin që drejtonte ky individ është përdorur në mënyrë të paautorizuar, duke cenuar imazhin dhe reputacionin e TV Klan.
TV Klan dënon çdo shkelje ligjore dhe etike dhe riafirmon angazhimin e vet për respektimin e ligjit dhe promovimin e përgjegjësisë sociale. Në këtë kuadër, institucioni ynë do të ndërmarrë të gjitha veprimet që parashikon ligji për raste të tilla.