Një sherr i dhunshëm mes dy grupeve të shtetasve italianë ka tronditur shëtitoren e Sarandës më 24 korrik, duke shkaktuar panik mes qytetarëve dhe turistëve. Ngjarja u bë publike pas publikimit të një videoje nga JOQ Albania, ku shihen të rinj që përleshen me shkopinj dhe baleta druri në mes të kalimtarëve të trembur. Përplasja u zhvillua në orët e para të mëngjesit dhe ngjalli shqetësim për sigurinë në këtë zonë turistike.
Pas kësaj, policia e Sarandës nisi menjëherë hetimet dhe shpalli në kërkim pesë shtetas italianë nga Napoli, të cilët u përfshinë në konflikt me një grup tjetër shtetasish italianë nga Avelino. Hetimet zbuluan se zënka kishte motive të dobëta dhe përfshinte përdorimin e sendeve të forta dhe dhunës fizike. Gjithashtu u referua në Prokurori edhe rasti i një shtetasi italian, i akuzuar për aktivitet të paligjshëm në shitjen e biletave për festa.
Njoftimi i Policisë:
Sarandë/Shpallen në kërkim 5 shtetas italianë që u konfliktuan me sende të forta në shetitoren e qytetit.
Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, që pasqyron një konflikt fizik mes disa shtetasve në shetitoren e Sarandës, sqarojmë se:
Ngjarja ka ndodhur më datë 24.07.2025, rreth orës 01:30, dhe menjëherë pas saj, strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë kanë nisur veprimet procedurale për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj të plotë ligjor.
Nga hetimet ka rezultuar se dy grupe shtetasish italianë janë përfshirë në një konflikt për motive të dobëta, ku kanë goditur njëri-tjetrin me grushte dhe sende të forta.
Në përfundim të veprimeve procedurale u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, dhe u bë shpallja në kërkim për shtetasit italianë:
G. T., 23 vjeç, M. A., 20 vjeç, S. D., 60 vjeç, A. L., 19 vjeç, S. B., 19 vjeç, të gjithë banues në Napoli, Itali.
Këta 5 shtetas janë konfliktuar dhe kanë goditur me sende të forta shtetasit italianë G. M., 19 vjeç, F. D., 22 vjeç, L. D., 20 vjeç, të gjithë banues në Avelino, Itali.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori edhe për shtetasin italian E. G., i cili nga verifikimet rezultoi se ushtronte aktivitet të paligjshëm për shitje biletash për festa, pa lejen përkatëse, si dhe kishte punësuar në këtë aktivitet shtetas të pasiguruar.
Strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë vijojnë veprimet për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale u referuan në Prokurori, për veprime të mëtejshme.