Prokuroria e Posaçme ka nisur një hetim ndaj kompanisë AGI KONS dhe administratorit të saj, Gentian Sulës, duke kërkuar nga Bashkia e Tiranës dokumentacion për lejet e ndërtimit, kontratat e prokurimit dhe koncesionet nga viti 2015 deri në 2024. Po ashtu, SPAK i ka kërkuar Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeo-Hapësinor ortofotot satelitore që nga viti 2010 për zonat “Kodra e Diellit” në Tiranë dhe Resorti “Marea” në Qerret të Durrësit. Hetimi u përshpejtua pas komunikimit të akuzës për korrupsion aktiv ndaj Gentian Sulës, i përfshirë në dosjen “Veliaj”.
Sipas SPAK, citon Ora News, lidhja mes Gentian Sulës dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, daton që kur ky i fundit ishte Ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale. Në këtë periudhë, Veliaj bleu një banesë në bllokun rezidencial “Kodra e Diellit” në pronësi të Sulës dhe emëroi bashkëshorten e biznesmenit si zv/ministre. Gjithashtu, Veliaj zotëron tre vila në zonën rezidenciale të Qerretit, ndërtuar nga AGI KONS, ndërsa njëra prej tyre është shembur për të krijuar pamje më të hapur të zonës.
Gent Sula është një nga oligarkët që është denoncuar në shumë artikuj nga JOQ ALBANIA. Ai ka marrë edhe shumë leje ndërtimi të rëndësishme, ku një prej tyre është edhe betonizimi i liqenit të Farkës.