Ndërsa pjesa tjetër e botës shkon drejt energjive të gjelbra dhe teknologjive të pastra, lagjja 22 Tetori në Berat, falë kryebashkiakut Demo po kthehet në një landfill eksperimental të mbështetur nga heshtja institucionale dhe mungesa absolute e ndërgjegjes mjedisore.
Sipas qytetarëve, ajo që dikur ishte një lagje e qetë me katër blloqe banimi dhe kosha të shpërndarë me logjikë, tani është shndërruar në një pikë turistike për dashamirësit e aromave të forta, ku mund të soditen mbeturinat në të gjithë madhështinë e tyre. Tetë kosha mbeturinash janë mbledhur në një vend të vetëm, duke krijuar një instalacion ekologjik që frymëzon alergji dhe dëshpërim.
Pas publikimit të rastit më 22 Korrik ka ardhur sërish një reagim nga një tjetër banor i cili ka ngritur zërin për t'i bërë “diss” zyrtarëve të Bashkisë dhe Institutit të Shëndetit Publik, duke i ftuar të qëndrojnë pesë minuta pranë kosharisë së famshme pa humbur ndjenjat. Sipas tij, mbeturinat mblidhen në orën 12 të natës – një orar perfekt për spektakël erëzash të forta dhe mizash të paftuara.
“Iu përshëndesim nga lagjia 22 tetori ne Berat me kete landfill qe eshte hapur. Eshte ora 11 e drekës dhe te gjithë koshat janë mbushur plot. Plehrat hiqen ne 12 te natës. I lutemi bashkisë nuk i kemi borgj te beje qoke me jetët tona dhe te ktheje lagjen ne landfill dhe i bej diss te gjithë punonjësve te bashkisë qe merren me pastrimin e mbeturinave te gjthe punonjësve te instituitit te shëndetit publik te vijnë këtu nëse qëndrojnë 5 minuta pa i rene te fiket heqim dore nga kjo ankese qe kemi bere komplet si lagje. Ju nuk paskeni nderment te reagoni o kriminela”, dëgjohet duke thene banori i lagjes 22 Tetori Berat.
JOQ Albania do të vijojë të raportojë denoncimet e qytetarëve të lënë në harresë nga bashkia Berat.