Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një ngjarje që mund të rezultonte dhe fatale. Qytetari kishte parkuar makinën pranë Spitalit Rajonal Shkodër, ndërsa një copë betoni nga godina e spitalit u shkëput dhe i theu xhamin e makinës.
“Pershendetje JOQ! Shiko te spitali rajonal Shkoder. Parkova makinën dhe ra betoni i godinës dhe me theu xhamin e makine. Asnje dëmshpërblim. Betoni ra nga godina e spitalit. Njoftuam rojet e godinës dhe thane qe nuk dine asgjë”, u shpreh qytetari për JOQ Albania.
Ajo që e bën situatën edhe më shqetësuese është mungesa totale e reagimit nga ana e institucionit. Asnjë përfaqësues i spitalit nuk ka dalë për të marrë përgjegjësi apo për të ofruar dëmshpërblim për dëmin e shkaktuar, ndonëse rënia e betonit përbën rrezik të drejtpërdrejtë për jetën dhe pronën e qytetarëve.
Ngjarja ngre pikëpyetje serioze mbi sigurinë e infrastrukturës së spitalit, që është një godinë publike e frekuentuar çdo ditë nga qindra pacientë, punonjës dhe qytetarë. Nëse sot u dëmtua një makinë, çfarë ndodh nesër nëse mbi dikë bie një copë tulle apo beton nga lart te një pacient apo qytetar që shkon për të marrë shërbim? A do të vazhdojë spitali të heshtë?
Drejtoria e Spitalit Rajonal Shkodër dhe Ministria e Shëndetësisë duhet të reagojnë menjëherë, të marrin masa për sigurinë e godinës dhe të mbulojnë dëmin ndaj qytetarit, i cili pa fajin e tij u gjend përballë një situate të rrezikshme dhe gjysma e së keqes me dëme materiale në makinë, jo në të.