Pas një beteje disamujore, një nga tenderët më të zhurmshëm të këtij viti përfundon me një vendim surprizë: Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) ka urdhëruar Radio Televizionin Shqiptar të shpallë fituese kompaninë “R&T” në pronësi të biznesmenit Renis Tershana. Kjo kompani ishte skualifikuar më parë nga vetë RTSH, që më pas kishte vendosur të anulonte të gjithë procedurën.
Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Blerje shërbimi i mirëmbajtjes për Rrjetin e Shpërndarjes DVB-T2 për 48 muaj”, me një fond limit prej 907 milionë lekësh (rreth 9.1 milionë euro), shpallur në mars 2025 nga ish-drejtoresha Aurora Polo. Në garë morën pjesë tre ofertues:
T.B.S 96 e Artan Xhorit: ofertë prej 7.6 milionë euro
R&T e Renis Tershanës: ofertë prej 8 milionë euro
Bashkimi Idea Tel & Real Com: ofertë prej 9 milionë euro
Por pas emërimit të Enis Vasilit në krye të RTSH-së më 25 prill, vetëm tre ditë më pas, Komisioni i Tenderit në RTSH skualifikoi të tre ofertuesit dhe anuloi të gjithë tenderin. Vendim që ndezi polemika dhe u ankua në KPP nga dy nga ofertuesit.

Ndërkohë që zvarritja e procedurës vazhdonte, KPP përjetoi edhe vetë një goditje të fortë: kreu i saj, Jonaid Myzyri, u pezullua nga detyra dhe u mor i pandehur nga SPAK për shpërdorim detyre.
Megjithatë, pas më shumë se tre muajsh përplasje dhe pazare të nxehta në prapaskenë, KPP vendosi të rrëzojë vendimin e RTSH-së dhe të shpallë kompaninë R&T si fituese, duke i hapur kështu rrugën firmosjes së kontratës.
Ky vendim i jep fund një prej sagave më të bujshme të prokurimeve publike në vitin 2025, por njëkohësisht ngre shumë pikëpyetje mbi mënyrën si funksionojnë garat publike dhe ndikimin e aktorëve të ndryshëm në to.
Për më tepër: A do të ketë zhvillime të reja ligjore pas këtij vendimi? A do të kundërshtohet vendimi i KPP-së në gjykatë? Mbetet për t’u parë.