Në një vend si Shqipëria, ku një qytetar dënohet se s’ka paguar dritat, por një notere me pasuri të fshehura duke përdorur emra të tjerëve, ecën me G-Class dhe brohoritet nga “sistemi”, nuk është çudi që hajdutët të hynë në shtëpinë e saj me bindjen se “po rimarrin atë çfarë u ishte vjedhur më parë”.
Sanja Telhallari, e etiketuar si “noterja e krimit dhe pastrimit të parave”, duket se nuk i ndahet telasheve, por drejtësia vazhdon ta “përkëdhelë”. Me një G-Class 200 mijë euro që dikush u përpoq t'ja vidhte, me një baba dhe vëlla të përfshirë në një përplasje me Lendi Palajn, një figurë e njohur e botës së llotove, tani Sanjës i ka ndodhur një tjetër “surprizë”: grabitësit i kanë boshatisur vilën luksoze në “Rolling Hills”, një pronë që vlen mbi një milion e gjysmë euro dhe që, natyrisht, nuk është regjistruar në emrin e saj, por të disa “besnikëve” të saj që i mbajnë sekretet të sigurta.
Kush hyri në vilë duket se e dinte mirë çfarë po kërkonte: gjysmë milioni euro cash, jo në bankë, por të fshehura si në filmat e mafies, bashkë me ora Rolex, Breitling, çanta që kushtojnë sa një apartament dhe bizhuteri që do t’i bënte zili çdo sfilatë në Paris. Dyshimet bien mbi paratë e dyshuara si të pista, të mbledhura nga fajdet, lojërat e fatit dhe transaksionet e dyshimta që lidhen me familjen Telhallari. Por ç’bën SPAK-u? Hesht, si gjithmonë, ndërsa Prokuroria e Tiranës i arkivon hetimet ndaj Sanjës me shpejtësi të dyshimtë, sikur të ishin letra pa vlerë.
Pyetjet që askush në sistem s’guxon t’i shtrojë, i themi ne: sa kontrata ka firmosur Sanja për njerëz që ishin në burg ose në Dubai kur “nënshkruanin”? Sa prona janë legalizuar me dokumente të sajuara? Nga vijnë paratë për vilat, makinat luksoze, udhëtimet ekstravagante dhe pasuritë e fshehura në emra të tjerë, përfshirë një “Sh.K.” misterioz? Dhe çfarë ndodh kur drejtësia duhet të bëjë punën e saj? Asgjë, vetëm heshtje.
Skandali merr një tjetër kthesë me babain e Sanjës, Arjan Telhallarin 67-vjeçar, që u kap duke lëvizur i armatosur në Tiranë, duke kërcënuar Lendi Palajn për kontrollin e llotove. Arrestohet? Po, për 24 orë, dhe lirohet nga prokurori D.P. dhe gjyqtari Sokol Shehu me justifikimin “është i moshuar”. Po sikur një i moshuar tjetër, pa lidhje me noterë dhe para të pista, të kapet me armë? A do të dilte kaq shpejt? Kjo është drejtësi apo shërbim për të fortit?
Lirimi i Arjanit ka ndezur një valë zemërimi, duke u parë si prova e radhës se Sanja Telhallari ka dorë të gjatë në sistem. Një njeri me automatik që kërcënon publikisht del i lirë brenda dy ditësh, ndërsa të tjerët burgosen për shumë më pak. Ky standard i rrezikshëm po e kthen drejtësinë në një shaka të hidhur, të denjë për një film komedi të viteve 80-të.