Një 20-vjeçar shqiptar ka përfunduar në prangat e karabinierëve në Terni të Italisë, pasi u kap duke vjedhur tubat e bakrit në një shkollë fillore në rrugën “Via Narni”.
Sipas mediave italiane, ngjarja ndodhi të martën më 22 korrik, rreth orës 10:45 të mëngjesit, kur në qendrën operative të karabinierëve mbërriti një sinjal alarmi për një hyrje të paligjshme në shkollën “Cianferini”. Patrullat u nisën menjëherë drejt vendngjarjes.
Gjatë kontrollit, efektivët vunë re një të ri me biçikletë që po largohej me nxitim. Në përpjekje për të shpëtuar, ai braktisi biçikletën dhe tentoi të fshihej në rrugicat e zonës Campomaggio, por u kap nga forcat e rendit. Gjatë kontrollit në çantën e tij, iu gjetën pjesë të tubave të bakrit të prerë, me peshë rreth 12 kg, si dhe mjete pune si frullino, darë dhe çelësa.
Hetimet zbuluan se i riu ishte futur në shkollë duke prerë rrjetën e jashtme dhe kishte prerë të gjitha grykat e bakrit të ndërtesës.
Pavarësisht se u konstatua fajtor për vjedhje të rënduar, i riu u dërgua në arrest shtëpie dhe më pas u lirua nga gjykata, pasi kërkoi kohë për t’u mbrojtur. Mjetet e vjedhura u kthyen, ndërsa veglat e përdorura në vjedhje u sekuestruan. Procedimi penal vijon dhe deri në një vendim përfundimtar, i riu konsiderohet i pafajshëm.