Një incident me pasoja të rënda është shmangur së fundmi në plazhin e Jalës, në jug të Shqipërisë, ku një pushues rrezikoi mbytjeje në det. Në pamjet e siguruara nga JOQ Albania, shfaqet një i ri që kërkon ndihmë ndërsa ndodhet në mes të ujit.
Për shkak të mungesës së rojeve bregdetare, ishin pushuesit e tjerë ata që ndërhynë menjëherë për ta shpëtuar. Ata u treguan të gatshëm dhe vepruan me shpejtësi, duke hyrë në det dhe e nxjerrën të riun në breg, duke i shpëtuar jetën.
"Pershendetje JOQ, shikoni si po mbytej një i ri në Jalë. E shpëtuan pushuesit sepse nuk ka roje bregdetare," shkruan qytetari që ka dërguar videon.
Ngjarje të tilla duhet të shërbejnë si një thirrje serioze për autoritetet që të forcojnë masat e sigurisë në zonat bregdetare. Sigurimi i plazheve me roje bregdetare nuk është më një luks, por një domosdoshmëri për të parandaluar tragjedi të mundshme dhe për të garantuar pushime të sigurta për të gjithë.