Një qytetar shkodran ka ngritur shqetësimin për betonimin e një hapësire pranë një peme shekullore mbi 300-vjeçare, të njohur nga banorët si “Qinari i pusit të mirë”, e ndodhur në fshatin Juban. Sipas dëshmisë së qytetarit, që së bashku me miqtë e tij viziton shpesh zonat periferike me biçikletë, vendi që dikur shërbente si një park i vogël natyror, sot po kthehet në një zonë të betonuar.

Betoni që po vendoset pranë trungut të pemës gjigande ngjason me një bazament për vendosjen e ndonjë objekti portativ, duke ngritur shqetësime të forta për shkatërrimin e natyrës dhe zaptimin e hapësirave publike pa konsultim me komunitetin.
"Jam nje qytetar nga Shkodra qe vizitoj periferite e qytetit me biciklete me miqte e mi kete here me shqetesoj fakti qe po betonohej pran kesaj peme gjigande mbi 300 vjecare qe e quanin banoret Qinari i pusit te mire fshati Juban. Nuk e di pse duhet te zaptohet cdo hapesire publike sidomos kjo peme kaq e vecante qe para disa viteve ishte si nje park i vogël. Po bejne betonim. Duket si bazament per te vendosur ndonje objekt portativ", shkruan qytetari.

Qytetarët kërkojnë reagim urgjent nga autoritetet vendore për të ndalur këtë ndërhyrje të pashpjeguar dhe për të mbrojtur këtë pemë të rrallë që për breza të tërë ka qenë pjesë e identitetit të zonës.