Detaje të reja janë zbardhur lidhur me shpërthimin me lëndë plasëse që ka ndodhur rreth orës 03:50 të mëngjesit të sotëm në rrugën “Peti”, në Tiranë.
Sipas burimeve zyrtare nga policia, tritoli është vendosur në portën hyrëse të garazhit të shtetasit Elvis Kosova, 39 vjeç.
Ky i fundit i njohur ndryshe si “Visi i garave” apo “Visi i makinave të shpejta”, është një emër i njohur për autoritetet ligjzbatuese. Ai ka pasur precedentë penalë, dhe në gusht të vitit 2024, është arrestuar për një rast të dyshuar vjedhjeje të një automjeti luksoz, një Audi R8 me vlerë rreth 200 mijë euro. Sipas hetimeve, një shtetas turk kishte marrë me qira automjetin në Gjermani, dhe pas hyrjes në territorin shqiptar, makina përfundoi në pronësi të Kosovës, i cili dyshohet se manipuloi situatën për ta përvetësuar automjetin.
Rasti u denoncua nga shtetasi turk, i cili deklaroi se makina i ishte vjedhur pranë një hoteli afër stadiumit “Air Albania”.
Ky incident i fundit me tritol ngre dyshime për hakmarrje, larje hesapesh ose ndonjë konflikt të pazgjidhur që mund të jetë i lidhur me aktivitetin e mëparshëm të Kosovës.
Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk raportohet për të lënduar, por janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, përfshirë automjete të parkuara në afërsi të vendit të ngjarjes.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e ngjarjes ka mbërritur grupi hetimor, i cili ka nisur punën për dokumentimin e rrethanave. Janë sekuestruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë përreth zonës dhe po vijojnë hetimet për identifikimin e autorëve dhe motivet e mundshme të atentatit.