4 zyrtarë të bashkisë Fier nën hetim, nuk arkëtuan 40 mln lekë nga taksat e parkingut

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 24.07.2025, 08:49

Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në DVP Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Fierit, ka përfunduar një hetim disamujor dhe ka finalizuar operacionin policor të koduar “Parking”. Si rezultat, janë ekzekutuar masa sigurie ndaj disa zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarëve të Bashkisë Fier dhe të Drejtorisë Rajonale Tatimore, konkretisht Adela Hysenaj, Vasil Ceku, Anisa Cjapi, Martin Dodi.

Sipas hetimeve, këta zyrtarë dyshohet se nuk kanë vepruar sipas ligjit për fiskalizimin e parkimit nëntokësor të administruar nga Bashkia Fier, duke mos arkëtuar rreth 40 milion lekë në buxhetin vendor. Gjithashtu akuzohen se "nëpërmjet shpërdorimit të detyrës, kanë ulur taksat e subjekteve të ndryshme tregtare në Fier, kundrejt përfitimit". Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për vijimin e hetimeve.

Ndaj ish-drejtoreshës së Taksave dhe Urbanistikës dhe ish-nënkryetares së Bashkisë Fier, Adela Hysenaj e cila në vitin 2022 u zgjodh me vota brenda PS-së në Fier si një nga dy bashkëkryetaret, bashkë me Ramion Kurtin, u caktua masa “arrest shtëpie”, ndërsa masa të tjera u morën dhe për zyrtarë të tjerë. "Arrest në shtëpie” dhe "pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik" për Vasil Ceku, 41 vjeç, banues në Fier, Drejtor në Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren për Rajonin Jugor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Fier, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës"; "Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik", për Anisa Cjapi, 38 vjeçe, banuese në Fier, Drejtoreshë në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës" dhe "Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik" dhe "Ndalimi i daljes jashtë shtetit", për Martin Dodi, 57 vjeç, banues në Fier, sekretar i Përgjthshëm i Bashkisë Fier, për veprën penale "Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike".

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit