Presidenti francez Emmanuel Macron dhe bashkëshortja e tij Brigitte kanë ngritur një padi për shpifje ndaj komentatores amerikane Candace Owens, për publikimin e pretendimeve se zonja Macron kishte "lindur si mashkull" dhe kishte "ndryshuar identitet".
Padia është dorëzuar në një gjykatë të shtetit Delaware të SHBA, dhe përmban 22 akuza, përfshirë shpifje, keqdashje dhe përfitim financiar përmes përhapjes së informacionit të rremë. Owens, në një seri prej tetë episodësh të podcast-it të saj “Becoming Brigitte”, pretendoi se zonja e parë e Francës kishte vjedhur identitetin e dikujt tjetër dhe kishte kryer një tranzicion gjinor.
Sipas çiftit Macron, këto akuza janë “plotësisht të pavërteta”, dhe ata e akuzojnë Owens për “spekulim të qëllimshëm” për të fituar vëmendje dhe para përmes “sensacionalizmit dhe teorive të konspiracionit”.
Në dokumentet e padisë, thuhet se Owens refuzoi tri herë të tërhiqej, pavarësisht kërkesave ligjore që nga dhjetori i kaluar. Pasi kërkesat për tërheqje u injoruan, Macrons vendosën ta çojnë çështjen në gjykatë, duke thënë se “kjo është një fushatë shpifjesh që ka synuar të na poshtërojë dhe dëmtojë familjet tona.”
Owens, nga ana e saj, reagoi duke e quajtur padinë “një sulm nga një qeveri e huaj ndaj lirisë së fjalës në SHBA” dhe deklaroi se nuk do të tërhiqej. Ajo e cilësoi veprimin e Macron “një përpjekje për të heshtur gazetarët” dhe u shfaq live në YouTube duke lexuar pasazhe nga padia dhe duke mohuar se kishte thënë pjesë të caktuara të cituara aty.
Padia gjithashtu përmend se Owens nisi publikimin e këtyre pretendimeve në mars 2024, ndërkohë që punonte për "The Daily Wire", ku më pas u largua. Më vonë, ajo nisi podcast-in e saj të pavarur dhe vijoi me të njëjtat akuza, tashmë në mënyrë të pavarur dhe të monetizuar.
Çifti Makron kërkojnë dëmshpërblim për dëmet që thonë se kanë pësuar, si edhe ndalimin e përhapjes së mëtejshme të pretendimeve, duke e cilësuar këtë “një rast të qartë shpifjeje me dashakeqësi”.