Një denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një shqiptar që jeton në Treviso të Italisë, i cili pretendon se është mashtruar nga një shtetas nga Kosova, me emrin Bujar Gallopeni.
Sipas denoncuesit, Gallopeni punon në kapotim dhe lyerje shtëpish dhe i ka marrë kapar në vlerën e 5700 eurove, por më pas është zhdukur pa lënë gjurmë.
Ai shton se nuk është i vetmi i mashtruar dhe se Gallopeni ka bërë të njëjtën gjë me të paktën 13 shqiptarë të tjerë në Itali.
Denoncuesi kërkoi publikimin e këtij rasti për të mos rënë pre edhe shqiptarë të tjerë që jetojnë jashtë.
Mesazhi i plotë i qytetarit:
“Përshëndetje JOQ. Po ju shkruaj nga Treviso, Itali, për të vënë në dukje emrin dhe fytyrën e një shqiptari nga Kosova, që quhet Bujar Gallopeni dhe punon me kapotim dhe lyerje shtëpish. Ky njeri është një mashtrues! Më ka marrë 5700 euro kapar dhe është zhdukur. Kam marrë vesh që ka mashtruar 13 shqiptarë të tjerë duke u marrë lekët e kaparit dhe pastaj duke u zhdukur.
Z. Bujar është në kërkim nga unë dhe të gjithë ata shqiptarë që nuk do t'ia falim kurrë djersën tonë. Po ju shkruaj që ta publikoni rastin, me shpresën që asnjë shqiptar tjetër në Itali të mos bjerë pre e këtij mashtruesi.
Ai më ka bllokuar mua dhe të gjithë ne që na ka marrë lekët. U zhduk fillimisht për një javë, pastaj kur kapa njerëzit e shtëpisë më doli vetë dhe më mashtroi sërish, duke më thënë që do të më kthente të paktën gjysmën, por “gjoja” bankomati i kishte vënë limit. Pas kësaj bisede që ju kam dërguar, u zhduk fare dhe na ka bllokuar gjithandej.
Kam qenë disa herë te familjarët e tij dhe babai i vet më tha troç: 'Vriteni, bëjini ç’të doni, se nuk kam më lekë për t’ia paguar borxhet të gjithëve që më trokasin në derë!'”



