Një rast prekës për ndihmë ka mbërritur pak më parë në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetare, e cila ka dërguar edhe video me pamje të një të moshuari, që prej 5-6 ditësh jeton në rrugë pranë Kthesës së Kamzës, tek terminali në Tiranë.
Sipas dëshmisë, i moshuari është në gjendje të rënduar fizike dhe emocionale, pa strehë, pa ndihmë, dhe me vetëm disa çanta me rroba pranë tij, që i mban në një karrocë. Ai ka deklaruar se është nga Lezha, se është nxjerrë nga banesa nga bashkëshortja dhe se ka dy fëmijë.
Qytetarja që e denoncon rastin tregon se ai fle natën në rrugë dhe nuk është aspak në gjendje fizike për të përballuar jetesën në këto kushte. Ajo shprehet se nuk e njeh personalisht, por ka zbritur për t’i dhënë ushqim, ujë dhe disa para, edhe pse është e vetëdijshme se kjo nuk është zgjidhje. Sipas saj, i moshuari ka humbur edhe dokumentet gjatë qëndrimit në Bullgari dhe aktualisht nuk ka asnjë vend ku të shkojë. Ajo thekson se ai është dakord të strehohet në një qendër apo shoqatë që kujdeset për raste të tilla.
Në temperaturat përvëluese të verës, të lësh një njeri në këtë gjendje është mizore dhe e papranueshme. Nuk ka rëndësi kush ka faj apo pse është nxjerrë nga shtëpia, askush nuk duhet të jetojë në këtë mënyrë, sidomos në një vend që pretendon se ka institucione sociale dhe shtet funksional.
JOQ Albania i bën thirrje Bashkisë së Tiranës, institucioneve sociale dhe çdo organizate që ofron ndihmë humanitare që të ndërhyjnë menjëherë për këtë rast. Ky njeri ka nevojë urgjente për ndihmë, strehim, përkujdesje mjekësore dhe mbështetje emocionale. Nuk është një rast që mund të lihet në harresë në mes të rrugës, përballë syve të qindra qytetarëve që kalojnë çdo ditë aty pranë. Ndihma duhet të vijë tani, përpara se të jetë tepër vonë.
JOQ Albania do të vijojë ta ndjekë këtë rast nga afër dhe fton çdo qytetar që ka mundësi, si dhe çdo autoritet përgjegjës, të mos e injorojë këtë apel.