Skema e re e mashtrimit, qytetarit i vjedhin 1 milion lekë pasi klikoi linkun që i erdhi në SMS

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 23.07.2025, 19:57

Një rast shqetësues mashtrimi është denoncuar në redaksinë e JOQ Albania, ku një qytetar ka rënë pre e një skeme të rrezikshme, përmes së cilës i janë vjedhur të dhënat bankare dhe më pas 1 milion lekë të vjetra nga llogaria e tij në bankën Raiffeisen.

Sipas denoncuesit, ai ka marrë një SMS në numrin e tij të telefonit, që pretendonte se vinte nga banka, me përmbajtjen:

“Për të shmangur pezullimin e shërbimeve tuaja, ju lutem përditësoni kartën tuaj brenda 22 korrikut nëpërmjet këtij linku.”

Pa e menduar gjatë, qytetari klikoi mbi linkun, dhe pas pak minutash nga llogaria e tij bankare u tërhoqën para, pavarësisht se karta fizike nuk ishte përdorur fare. Ai tregon se tani nuk ka më akses as në aplikacionin Raiffeisen ON.

“Dua të bëj një denoncim që të mos mashtrohen të tjerë si unë me mesazhe fallco në emër të bankës Raiffeisen. Më kanë vjedhur 1 milion lekë të vjetra pa pasur kartën time. Pasi pashë SMS-në mbrëmë në mesnatë dhe klikova linkun, tani as aplikacioni nuk më hapet më,” – tregon qytetari.

Rasti është tepër alarmant, pasi tregon se mashtruesit po përdorin emrin e bankave për të dërguar mesazhe që në pamje të parë duken zyrtare, por në të vërtetë përmbajnë linke mashtruese që synojnë të marrin të dhënat bankare të qytetarëve.

Për shkak të rasteve në rritje të mashtrimeve kibernetike, është thelbësore të jeni jashtëzakonisht të kujdesshëm. Mbani parasysh këto rregulla të arta për të mbrojtur të dhënat dhe paratë tuaja:

-Asnjëherë mos klikoni në linke të panjohura: Bankat dhe institucionet financiare nuk ju dërgojnë kurrë SMS apo email me linke për të përditësuar të dhënat tuaja. Edhe nëse një mesazh duket zyrtar, injorojeni.

-Verifikoni gjithmonë burimin: Nëse merrni një mesazh që ju duket i dyshimtë dhe pretendon se vjen nga banka juaj, mos veproni menjëherë. Kontaktoni bankën tuaj direkt përmes numrit zyrtar të telefonit (që gjendet në faqen e tyre zyrtare ose në kartën tuaj) ose shkoni personalisht në një degë. Asnjëherë mos përdorni numra apo adresa emaili të dhëna në mesazhin e dyshimtë.

-Mos jepni të dhëna personale/bankare: Kurrë mos ndani numrin e kartës suaj, kodet PIN, fjalëkalimet e bankës online, apo kodet OTP (One Time Password) me askënd përmes SMS-ve, emaileve, apo telefonatave të papritura. Banka juaj nuk do t'i kërkojë kurrë këto informacione në këtë mënyrë.

-Raportoni menjëherë çdo tentativë mashtrimi: Nëse dyshoni se keni marrë një mesazh mashtrues ose keni rënë pre e një skeme, kontaktoni menjëherë bankën tuaj dhe raportojeni rastin në Policinë e Shtetit.

-Përdorni aplikacionet zyrtare: Për akses në shërbimet bankare online, përdorni gjithmonë aplikacionin zyrtar të bankës suaj të shkarkuar nga dyqanet zyrtare të aplikacioneve (App Store ose Google Play), ose shkoni direkt në faqen zyrtare të bankës duke shkruar vetë adresën në shfletuesin tuaj.

-Jini vigjilentë ndaj presioneve kohore: Mashtruesit shpesh përdorin taktika që krijojnë urgjencë (p.sh., "përditësoni brenda 22 korrikut" ose "llogaria juaj do të pezullohet"). Këto janë sinjale të kuqe.

JOQ Albania i bën thirrje autoriteteve dhe institucioneve bankare të rrisin fushatat e informimit për të parandaluar raste të tilla. Qytetarët nuk duhet të bien pre e mashtrimeve të sofistikuara që po përhapen gjithnjë e më shumë në vend.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit