Një qytetare ka denoncuar në redaksinë e JOQ Albania situatën shqetësuese që po ndodh prej disa netësh në zonën turistike të Shëngjinit, në zonën e “Ranës së Hedhun”.
Sipas saj, Bashkia e Lezhës ka zgjedhur pikërisht sezonin turistik për të kryer punime intensive gjatë natës, duke kthyer pushimet e shumë qytetarëve në makth.
Ajo tregon se zhurmat e rënda nga makineritë nuk ndalen as pas mesnate, duke i mohuar njerëzve të drejtën më minimale për qetësi. Qytetarja, e cila ka dërguar dhe video nga vendngjarja, shkruan plot zhgënjim:
“Çfarë po na bëhet çdo natë nga Bashkia! Nuk dimë ku të ankohemi më. Zhurma vazhdon! Është një tmerr. Ka të paktën 3-4 netë që vazhdon kështu dhe nuk i dihet kur do mbarojë. Kemi paguar për 10 netë dhe nuk kemi nga t’ia mbajmë, çdo natë me këtë zhurmë. Fëmijët nuk flenë, të rriturit janë të acaruar. Edhe pak ditë pushim kishim...”
Denoncuesja shton se janë bërë disa thirrje në polici, por pa asnjë rezultat konkret. Zhurma vijon pa ndërprerje deri në orët e vona të natës, edhe pse është premtuar zgjidhje. Ndërsa turistët detyrohen të përballojnë tronditjen akustike, ndërsa autoritetet heshtin.
“Më duket sikur kemi një shtet që mendon si të na e nxijë jetën çdo ditë...”, përfundon ajo me revoltë.
JOQ Albania i bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të marrin masa urgjente dhe të ndalojnë këtë abuzim ndaj pushuesve, të cilët kanë paguar për qetësi e relaks, jo për të jetuar në kantier ndërtimi në mes të natës.