Një ngjarje e rëndë raportohet se ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 22:30 në ambientet e kompleksit “Delijorgji” në Tiranë, ku është dhunuar brutalisht pronari i restorantit “Tokyo”, Laert Kasaj. Burime për JOQ Albania bëjnë me dije se ai është sulmuar nga disa persona, të cilët dyshohet se janë pronarët e barit “Stockholm”, që ndodhet përballë kompleksit “Delijorgji”.

Shkaku i kësaj dhune, sipas dëshmisë së dërguar në redaksi, lidhet me një denoncim të supozuar, të bërë nga Kasaj pranë kryeministrit, në lidhje me zaptimin e hapësirave publike dhe përdorimin e tendave nga lokalet përreth. Dyshohet se pikërisht ky denoncim ka nxitur autorët të ndërmarrin aktin e dhunshëm.

Sipas burimeve, Laert Kasaj ndodhet ende në spital në gjendje të rënduar shëndetësore, ndërsa policia ka ndërhyrë vetëm pasi ngjarja kishte ndodhur dhe e ka transportuar me urgjencë në spital.
Për momentin, nuk ka një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit.

Më poshtë mesazhi i ardhur në redaksi:
“Përshëndetje JOQ. Mbrëmë në orën 22:30 në darkë, brenda kompleksit Delijorgji kanë rrahur shumë keq dhe ndodhet akoma në spital pronarin e restorantit Tokyo, Laert Kasaj, pronarët e bar Stockholm-it me arsyen pse i ka denoncuar tek kryeministri për të hequr tendat e lokaleve. Ja ku e mori makina e policisë, e çoi në spital.”