Një grup kontrolli nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka mbërritur mëngjesin e sotëm në tregun e shumicës në Korçë, duke vendosur një sërë gjobash ndaj tregtarëve lokalë. Sipas raportimeve, pesë tregtarë janë ndëshkuar me gjoba që arrijnë deri në 2 milionë lekë të vjetra, për shkak se mallrat që kishin në shitje – kryesisht produkte bujqësore – rezultonin pa kupon tatimor nga fermerët.
Tregtarët kanë reaguar me indinjatë, duke u ankuar për mediat se janë penalizuar për diçka që nuk varet prej tyre. Ata theksojnë se produktet i kanë blerë në fshat nga fermerë të zonës, të cilët nuk lëshojnë fatura dhe as kanë ndonjë mundësi për ta bërë këtë, pasi nuk janë të pajisur me mjete fiskale apo njohuri për procedurat.
Edhe pse kryeministri Rama është shprehur publikisht se kontrollet do të fokusohen vetëm te produktet shtazore si bulmeti, qumështi dhe mishi, në terren situata paraqitet ndryshe. Inspektorët e Tatimeve dhe të AKU-së kanë kërkuar llogari dhe dokumentacion për çdo produkt, përfshirë edhe domatet, qepët e patatet që vijnë nga fermerë të vegjël.
Situata ka shtuar pasigurinë mes tregtarëve të zonës, të cilët ndihen të pambrojtur dhe të paqartë për detyrimet që u kërkohen. Mungesa e një sqarimi zyrtar për mënyrën se si fermerët duhet të lëshojnë fatura po e rëndon edhe më shumë klimën në tregje, duke goditur në fund të zinxhirit pikërisht ata që jetojnë me punën e tokës.