Një skandal i vërtetë mjedisor ka ndodhur në Vlorë, ku ujërat e zeza derdhen në mënyrë të hapur në një prej plazheve të frekuentuara nga plot pushues.
Një video e mbërritur në redaksinë e JOQ Albania tregon momentin kur një kanal me ujë të ndotur derdhet drejt e në det, teksa pushues të shumtë vazhdojnë të lahen vetëm një metër larg vendit ku ndodh shkarkimi.
Pamjet janë alarmante dhe ngrenë shqetësime serioze për shëndetin publik. Përveç ndotjes së rëndë vizuale dhe mjedisore, ujërat e zeza mbartin rreziqe të mëdha higjienike dhe mund të shkaktojnë infeksione të lëkurës, sëmundje të zorrëve, infeksione urinare dhe sëmundje të tjera bakteriale apo virale.
Në një kohë kur vendi synon të promovojë turizmin si një prej burimeve kryesore të ekonomisë, ky realitet i hidhur në plazhet e Vlorës tregon neglizhencën totale të institucioneve përgjegjëse. Derdhja e ujërave të zeza në det jo vetëm që është e ndaluar me ligj, por përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për shëndetin e qytetarëve dhe imazhin e turizmit shqiptar.
Kujtojmë se raste të tilla nuk janë sporadike dhe janë denoncuar edhe më parë, por përgjigja nga autoritetet përkatëse ka qenë e vakët ose inekzistente.
JOQ Albania i bën thirrje institucioneve të ndërhyjnë menjëherë për të ndalur këtë katastrofë ekologjike dhe për të ndëshkuar përgjegjësit. Shëndeti i qytetarëve nuk mund të injorohet për interesa apo neglizhencë.